Para ardhjes së Debatik Currit në postin e trajnerit, Gjilani i kishte tri disfata radhazi në Superligën e Kosovës. Curri javën e kaluar e nisi me fitore aventurën te skuadra e Gjilanit.
Curri, që e zëvendësoi Ardian Nuhiun, e udhëhoqi Gjilanin drejt fitores 1:0 ndaj Prishtinës së Re.
Në total këtë edicion, skuadra gjilanase ka pesë humbje, një barazim dhe tri fitore.
Renditet në pozitën e tetë me dhjetë pikë.
Të shtunën, Gjilanin dhe Currin i pret ndeshje e vështirë ndaj nënkampionit Ballkani.
Kjo ndeshje fillon në orën 13:00 dhe luhet në stadiumin e qytetit në Suharekë. I takon javës së dhjetë të elitës së futbollit kosovar.
41-vjeçari Curri të premten është paraqitur në konferencë për shtyp dhe ka pranuar forcën e Ballkanit.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Është kundërshtar prej më të mirëve në ligë. Ne duhet të shkojmë dhe të qasemi si në ndeshjet e tjera, por tashmë kemi të bëjmë më një kundërshtar, i cili mund të na fusë edhe në vështirësi. Besoj se edhe ne nuk do t’ia bëjmë të lehtë kundërshtarit, me atë se çfarë kemi përgatitur gjatë gjithë kësaj jave”, u shpreh Curri.
Curri, që ka pasur karrierë të pasur si futbollist, mendon se Ballkani është pretendenti kryesor për titull të kampionit.
Ai megjithatë shtoi se nuk i frikësohen asnjë kundërshtari.
“Pres që ekipi të rritet ndeshje pas ndeshjeje, duke filluar që nga ndeshja e nesërme. Na pret një kundërshtar që është ndoshta pretedenti kryesor për titull. Por ne duhet të fokusohemi te ndeshja jonë, nuk ia kemi frikën asnjë kundërshtari. Do të shkojmë ta respektojmë dhe ta japim maksimumin. Nëse ekipi kundërshtar është më i mirë se ne, normalisht do t’ia urojmë fitoren”, tha Curri.
Vlerësim maksimal për kundërshtarin ka edhe trajneri i Ballkanit, Orges Shehi.
Ballkani e zë vendin e dytë me 18 pikë. Është katër pikë larg lideres Prishtina.
Ballkani këtë edicion ka pesë fitore, tri barazime dhe një humbje.
Disfatën e vetme e pësoi më 4 tetor nga Prishtina.
“Luajmë përballë një kundërshtari që për mendimin tim nuk meriton pozicionin që ka në tabelë. Skuadra është përgatitur dhe vlerësojmë ndeshjen për synimet që kemi. Do të japim maksimumin për të marrë tri pikët. Do të jetë sfidë shumë e madhe për të fituar ndaj skuadrës së Gjilanit”, ka deklaruar për KOHËN, 48-vjeçari Shehi.
Të shtunën luhen edhe dy ballafaqime të tjera.
Nga ora 13:00 takohen Prishtina e Re dhe Malisheva, kurse nga ora 18:30 luajnë Prishtina e Dukagjini.
Xhiroja e dhjetë mbyllet të dielën me dy ndeshje, që luhen nga ora 13:00: Drita – Ferizaj, Llapi – Drenica.