Ballkani e Prishtina janë prej skuadrave që kanë ndryshuar trajnerët në javët e fundit.
Me Afrim Tovërlanin, Prishtina humbi 4:1 nga Prishtina e Re në Superligë, fitoi 2:0 ndaj Top Footballit në garën për Kupë dhe luajti 1:1 me Ferizajn në Superligë.
Me kroatin Mislav Karoglan, Ballkani fitoi 3:2 ndaj Dritës në Gjilan në Superligë, fitoi 1:0 ndaj Rilindjes për Kupë dhe 6:1 ndaj Prishtinës së Re në Superligë.
Ballkani ka rezultate bindshëm më të mira se Prishtina, nëse për bazë merren tri ndeshjet e fundit.
Dhe pikërisht Ballkani e Prishtina përballen në njërin prej derbive të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja zhvillohet të dielën nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Bëhet fjalë për dy skuadrat e para në tabelë. Ballkani është lider me 29 pikë. Prishtina i ka 27 në vendin e dytë, ndërsa e ka një ndeshje më pak të luajtur. 27 pikë i ka edhe Dukagjini në vendin e tretë.
Ndeshja në Suharekë pritet të jetë e fortë dhe interesante. Të dy skuadrat synojnë të shfaqin cilësinë që besojnë se do t’i dërgojë te titulli i kampionit. Këto dy skuadra u përballën në kuadër të xhiros së tetë. Prishtina kishte fituar 1:0 si vendase, më 4 tetor. Por shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë. Ndër të tjera edhe trajnerët.
Derbi tjetër i xhiros së 17-të është ai mes Dritës dhe Gjilanit. Pra është derbi i qytetit të Gjilanit, që zhvillohet po të dielën nga ora 13:00, në stadiumin me bari sintetik. Për kohë të gjatë ky ishte bindshëm derbi më i madh në vend. Vazhdon të jetë derbi më i madh lokal, por renovimi i tejzgjatur i stadiumit të qytetit në Gjilan, e ka zbehur goxha shumë, sidomos sa i takon atmosferës së tifozëve.
Rivaliteti megjithatë nuk do të mungojë. Drita do të mundohet të reagojë pas humbjes nga AZ Alkmaari në Ligën e Konferencës. Ndërkohë Gjilanin synon fitore për hap tjetër drejt pjesës së epërme të tabelës.
Drita është e pesta në tabelë me 24 pikë. E ka një ndeshje më pak të luajtur, atë me Prishtinën. Gjilani është i gjashti me 22 pikë.
Të dielën është edhe ndeshja mes Llapit e Malishevës. Llapi renditet i shtati me 20 pikë, kurse Malisheva mban vendin e katërt me 25 pikë.
Xhiroja hapet të shtunën, kur janë dy ndeshjet e para. Në Lipjan, Prishtinën e Re e pret punë e vështirë me Dukagjinin e Klinës. Ndërkohë në Skenderaj, Drenica e pret Ferizajn.
Te Drenica do të debutojë trajneri kroato-gjerman, Thomas Brdariq, që u prezantua të martën.
Do të jetë ndeshje e skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës. Drenica i ka 17 pikë në vendin e tetë. Ferizaj është i nënti me 16. Prishtina e Re renditet e fundit me 14 pikë.