Dy skuadrat me emrin Prishtina takohen të shtunën në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Prishtinës së Re zhvillohet nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërballja prishtinase i gjen skuadrat në pozita dhe me synime të ndryshme. Derisa Prishtina është në garë për titull të kampionit, Prishtina e Re po lufton për mbetje në elitë. Prishtina është e treta me 37 pikë, pesë më pak se liderja e klasifikimit, Drita. Prishtina humbi hapin paksa, pas humbjes 3:0 në xhiron e kaluar nga Malisheva. Me rezultat të njëjtë humbi edhe Prishtina e Re nga Drita. Prishtina e Re është e parafundit me 22 pikë, sa i ka edhe Drenica në vendin e fundit.
Të dy skuadrat do të kërkojnë të reagojnë pas humbjeve të thella të xhiros së kaluar. Ndeshja luhet pa praninë e shikuesve për shkak të një dënimi ndaj Prishtinës.
Të shtunën prej orës 13:00 janë edhe dy ndeshje të tjera të rëndësishme. Gjilani e pret Drenicën dhe do të kërkojë ta vazhdojë serinë e fitoreve. Gjilanasit i kanë tri fitore rresht.
Për Drenicën është e rëndësishme secila pikë. Xhiron e kaluar skuadra kuqezi barazoi 2:2 me Dukagjinin. Fitoren e fundit e ka arritur më 13 dhjetor ndaj Ferizajt.
Me peshë vlerësohet edhe takimi në mes të Malishevës dhe Ferizajt. Malisheva është në vendin e katërt me 37 pikë, sa i ka edhe Prishtina. Ferizaj është në vendin e tetë me 23 pikë. Kjo pozitë në fund dërgon në plejaut.
E gjithë vëmendja në fundjavë megjithatë do të jetë në ndeshjen e së dielës në mes të Ballkanit dhe Dritës. Ndeshja në Suharekë është kryesorja e xhiros dhe prej më të rëndësishmeve të stinorit.
Të dy skuadrat e kërkojnë titullin e kampionit dhe janë në krye të klasifikimit. Ballkani është i dyti me 39 pikë. Me fitore të suharekasve, gara për titull do të mbetej plotësisht e hapur. Ndërkohë Drita me fitore do të bënte hap gjigant drejt mbrojtjes së titullit.
Ballkani në xhiron e kaluar pësoi 2:0 nga Llapi në Podujevë.
Të dielën prej orës 13:00 është edhe ndeshja në mes të Dukagjinit dhe Llapit.