Gjilani dhe Prishtina kanë pasur shumë të përbashkëta në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Të dy klubet nëpër periudha të ndryshe janë përballur me probleme financiare e organizative. Të dy klubet janë pa kryetar. Të paktën jozyrtarisht.
Por, si Gjilani ashtu edhe Prishtina kanë të përbashkët edhe garën për të siguruar një vend që sezonin tjetër garanton pjesëmarrjen në Evropë. Skuadra e kuqe dhe ajo e kaltër kanë dy mundësi për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane - lufta për vendin e tretë në kampionat dhe ajo në Kupën e Kosovës. Gjilani aktualisht zë vendin e tretë në Superligë me 40 pikë, kurse një pozitë më poshtë dhe me dy pikë më pak është Prishtina.
Gjilani dhe Prishtina kanë bërë hap të madh drejt finales së Kupës. Të dy skuadrat kanë shënuar fitore në ndeshjet e tyre të para gjysmëfinale të kësaj gare. Si Gjilani ashtu edhe Prishtina i fituan kundërshtarët e tyre në udhëtim me rezultatin identik - 2:1. Gjilani mposhti Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” apo ekipin që ka triumfuar në kupë në dy sezonet e fundit. Ndërsa Prishtina e mposhti Vushtrrinë, ekip që bën gara në Ligën e Parë në stadiumin “Ferki Aliu”. Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, ka thënë se kanë arsye të fortë për ta synuar triumfin në Kupën e Kosovës.
“Sa jemi afër Evropës, jemi po aq larg, sepse në kampionat kemi edhe nëntë ndeshje, kurse në Kupë kanë mbetur edhe ndeshja e kthimit gjysmëfinale dhe finalja. Jemi në rrugën e duhur, por deri në fund do të mundohemi ta mbajmë hapin në dy garat për Evropë. Për ne objektiv është Evropa, pa marrë parasysh se ajo vjen nëpërmjet kampionatit ose Kupës”, ka thënë Ramadani për KOHËN. “Por ne duam Kupën për një arsye të vetme që trofeu i Kupës mund të jetë një faktor shumë i rëndësishëm që presidenti Florim Zuka të vazhdojë me investime në klub edhe sezonin tjetër. Dhe, pikërisht në Kupë, do të japim atomin e fundit në fushë për ta fituar vetëm për presidentin që ka investuar tash e sa vite miliona euro dhe nuk ka fituar asnjë trofe. Unë mendoj se ka merituar dhe meriton ende të fitojë një trofe. Do të mundohemi ta bëjmë Kupën dhuratë për presidentin Florim Zuka”.
Në fakt, Zuka ishte pranë shitjes së klubit. Por vetëm pak muaj më herët klubi i Gjilanit u mobilizua dhe vazhdoi garat në Superligë. Ka pasur rezultate të mira pas riorganizimit. Pa telashe financiare dhe organizative e nisi sezonin edhe Prishtina. Por së fundi i janë rikthyer sërish telashet, si financiare ashtu edhe organizative. Megjithatë, kjo nuk i ka zbehur synimet që ka klubi kryeqytetas. Një prej futbollistëve më të mirë të Prishtinës, mesfushori Endrit Krasniqi, thotë se pak ka rëndësi se nga cila pozitë do të shkojnë në Evropë. E rëndësishme, sipas tij, është dalja në garat evropiane.
“Unë mendoj se me rëndësi do të jetë të arrijmë të kualifikohemi në garat evropiane. Ne duhet të vazhdojmë të koncentrohemi në të dyja frontet, sepse asnjëra deri tash nuk është e sigurt. Kështu që deri në fund besojmë se do të luftojmë në dy frontet dhe në fund shpresojmë që të arrijmë qëllimin tonë. Dalja në Evropë është qëllimi ynë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe Llapi kërkon daljen në Evropë. Është pak prapa vendit të tretë, e po ashtu ka humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës nga skuadra e Gjilanit. Por, te Llapi nuk janë dorëzuar në garën për ta siguruar Evropën.