Sport

Gjilani në kërkim të trofeut pas më shumë se dy dekadash

Kanë kaluar më shumë se dy dekada prej se Gjilani e ka fituar Kupën e Kosovës. Trofeun e vetëm në histori Gjilani e kishte fituar në vitin 2000.

Trofeun e dytë skuadra gjilanase kërkon ta fitojë të hënën mbrëma. Nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri” përballet me Prishtinën në finale të Kupës së Kosovës në futboll.

Për të triufmuar në Prishtinë, trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani thotë se lojtarët e tij duhet të jenë të përqendruar maksimalisht gjatë gjithë ndeshjes.

“Nuk duhet vetëm të mendojmë për triumfin në Kupë, por edhe të punojmë shumë në fushë gjatë ndeshjes për të arritur deri te fitorja dhe t’i gëzojmë ‘Skifterat’ që e presin me shumë mall këtë trofe”, ka thënë Ramadani të dielën për KOHËN.

Ramadani e di peshën që ka suksesi në garën për Kupë. Kupa ka qenë objektivi kryesor i Gjilanit, që u riorganizua për stinorin pranveror të Superligës.

Verën e vitit të kaluar Gjilani u përball me probleme të mëdha si financiare ashtu edhe organizative. E ardhmja e klubit ishte në dyshim pas dorëheqjes së Florim Zukës nga posti i kryetarit. Zuka ishte pranë shitjes së klubit.

Por në fillim të vitit, disi papritmas, Gjilani u mobilizua dhe vazhdoi garat në Superligë. Edicionin 2022/2023 e mbylli në vendin e tretë, që ia siguron pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Por në rast të triumfit në finale të Kupës, Gjilani do të marrë pjesë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

“Besoj se me mbështetjen e ‘Skifterave’, që do t’i kemi në tribunë në numër të madh, do ta kemi rrugën më të lehtë drejt triumfit në Kupë dhe besoj që në fund të gjithë së bashku t’i gëzohemi suksesit”, është shprehur Ramadani.

Edhe për vetë Ramadanin do të ishte i veçantë triumfi në Kupë. Trajneri shkupjan për gjashtë vjet punë në Kosovë ka fituar shtatë trofe. Shtatë trofetë i ka me tri klube të ndryshme - Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën. Tani me Prishtinën do të jetë kundërshtar në finale të Kupës.

Edhe kapiteni i Gjilanit, Besar Musolli, thotë se është koha që edhe Gjilani t’i gëzohet triumfit në Kupë.

“Besoj që është momenti i duhur që klubi ta fitojë një trofe, duke ditur faktin që në edicionet e fundit e kemi kërkuar vazhdimisht. Kemi punuar shumë dhe besojmë se është momenti i duhur për ta arritur një gjë të tillë”, ka thënë Musolli.

Mesfushori Musolli pret përkrahjen e shikuesve për ta mposhtur Prishtinën në shtëpinë e saj.

“Tifozët na kanë mbështetur në vazhdimësi dhe kjo na ka motivuar edhe më shumë. Me ndihmën e tyre besojmë që jemi një lojtar më shumë dhe në fund do të gëzohemi së bashku”, ka theksuar Musolli.

Gjilani në korrik nis për herë të katërt garën në Evropë. Në vitet e fundit ka qenë vazhdimisht prej skuadrave kryesore në vend, por pa fituar trofe.