Sport

Gjilani përgatitet në “qetësi” për garat evropiane

Klubi i futbollit Gjilani ka publikuar pak njoftime pas finales së Kupës së Kosovës, të cilën e humbi nga Prishtina. Një prej njoftimeve është për largimin e trajnerit Zekirija Ramadani, ndërsa të tjerët kanë të bëjnë kryesisht me paraqitjen në kualifikimet e edicionit 2023/2024 të Ligës së Konferencës. Është publikuar kundërshtari i raundit të parë dhe ai eventual i raundit të dytë. Të tjera njoftime nuk ka.

Klubi nuk ka njoftuar për ndonjë largim apo prurje të re. Te Gjilani thonë se kanë mjaftueshëm lojtarë për ta kaluar kundërshtarin e parë evropian.

Skuadra e Gjilanit do të përballet me Progres Niederkonin nga Luksemburgu në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

“Përgatitjet po ecin mirë. Lojtarët po japim maksimumin dhe kjo është me rëndësi për mua që tani jam në krye të këtij ekipi. Intensiteti është shtuar normalisht pasi që janë bërë disa ditë që kemi filluar me përgatitjet. Presim t’i zhvillojmë edhe disa ndeshje miqësore para duelit të parë në Evropë”, ka thënë trajneri Alban Hyseni të dielën për KOHËN.

Hysenit i është besuar udhëheqja e ekipit për garat evropiane. Ai thotë se është privilegj, por edhe përgjegjësi.

“Është përgjegjësi pasi që klubi më ka besuar punën. Njëkohësisht privilegj, pasi që grupi i futbollistëve është mjaft i mirë. Përderisa të jem në krye të ekipit do të jap maksimumin dhe do të përkujdesem që një gjë të tillë ta bëjnë edhe futbollistët”, është shprehur Hyseni.

Gjilani ndeshjen e parë do ta luajë në udhëtim. Dueli i parë është më 13 korrik, ndërsa ai i kthimit një javë më pas.

Hyseni ka pranuar se ka pak njohuri për kundërshtarin, por ka shtuar se do të jenë gati dhe se do të tentojnë kualifikimin në raundin e dytë.

“Jemi duke e analizuar kundërshtarin dhe do të shohim se si do t’i qasemi. Kemi dy ndeshje të cilat nuk do jenë aspak të lehta, por objektivi ynë është që ta kalojmë këtë rund”.

Për Gjilanin kjo është hera e tretë që paraqitet në garat e UEFA-s. Vitin e shkuar luajti në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, por u eliminua.

“Përgatitjet po ecin mirë, tashmë intensiteti sa vjen e shtohet. Të gjithë çunat po japim maksimumin dhe po përgatiten për ndeshjen e Evropës. Aktualisht po stërvitemi në bari natyral në stadiumin kryesor, të cilin po e mirëmbajnë punëtorët e klubit”, thotë kapiteni i Gjilanit, Besar Musolli.

Ai thotë se atmosfera është e mirë në skuadër.

“Ne jemi duke u përgatitur për ndeshjen e Evropës dhe nuk po mendojmë për asgjë tjetër. Atmosfera është e mirë dhe çdo gjë ka shkuar mirë deri më tani”, ka vazhduar mesfushori.

Musolli thotë se në mungesë të informatave do ta kenë të vështirë përballjen me skuadrën nga Luksemburgu.

“Nuk kemi shumë njohuri për kundërshtarin. Do ta shohim mirë dhe më pas do t’i qasemi ndeshjes me përkushtim. Duhet pranuar që nuk do të jetë aspak e lehtë. Edhe nëse kalojmë në raundin e radhës përsëri do të jetë vështirë, pasi që shorti ishte i tillë. Gjithsesi nuk jemi duke menduar as më shumë dhe as më pak se ndeshja e parë”, ka thënë Musolli.

Vjet Gjilani u përball me krizë të madhe. Por e kaloi disi dhe siguroi daljen në Evropë.