Më 20 korrik Gjilani luajti ndeshje evropiane. Në “Fadil Vokrri” në Prishtinë u përball me Progres Niederkorn, skuadrën nga Luksemburgu. Pësoi 2:0 dhe u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
E ardhmja e Gjilanit ishte e paqartë edhe kur u luajt ndeshja me Progresin. Dhe tashmë po konfirmohet se klubin e presin ditë të vështira.
Shumë prej lojtarëve bartës po largohen nga Gjilani.
“Nga sot nuk jam më pjesë e klubit Gjilani”, ka shkruar Mevlan Zeka të martën, duke konfirmuar largimin nga skuadra. Ai ka falënderuar stafin e klubit, presidentin Florim Zuka, bashkëlojtarët, tifozët.
“Kontributi im për Gjilanin ishte gjithmonë 200 për qind, në të gjitha ndeshjet, duke u bërë golashënuesi më i mirë i skuadrës”, ka shkruar tutje Zeka.
“Me nder, krenari e shumë djersë mbrojta ngjyrat e SC Gjilanit për dy vjet. Sakrifikuam dhe kurrë nuk u koritëm, bashkë me shokë “, ka shkruar mbrojtësi Arbër Prekazi, duke konfirmuar po ashtu largimin nga Gjilani.
Gjilanin e ka falënderuar edhe Baton Zabërgja.
“Ishte një vit plot sfida, sakrificë e krenari. Dhashë aq sa pata mundësi, me tërë forcën, pa kursyer djersë”, ka shkruar ndër të tjera Zabërgja.
Armend Halili është lojtari tjetër që të martën konfirmoi ndarjen me Gjilanin. Ai ishte pesë vjet te kjo skuadër.
“5 vjet gëzime, hidhërime e plot sfida. Por i dorëzuar asnjëherë”, ka shkruar Halili.
Enea Koliçi ishte larguar më herët nga Gjilani. U larguan edhe Albert Dabiqaj, Arbnor Ramadani, Egzon Sinani...
“Të tjera largime priten. Gjendja e klubit është e paqartë. Skuadra aktualisht nuk po ushtron. Të shohim çka do të ndodhë”, ka thënë një burim brenda klubit.
Kriza te Gjilani nisi vjet kur presidenti Florim Zuka njoftoi për largimin. Por skuadra mbeti e bashkuar duke shpresuar në ditë më të mira. Në një lëvizje të papritur, Zuka u kthye në janar të këtij viti dhe Gjilani regjistroi një edicion të suksesshëm. U rendit i treti në Superligë dhe u paraqit në finale të Kupës. Skuadra luajti dy ndeshjet evropiane, në të cilat trajner ishte Klodian Duro. Zyrtarisht nuk ka ndonjë njoftim tjetër nga Gjilani, njëri prej klubeve më të mëdha në Kosovë për shumë e shumë vjet.
Edicioni i ri në Superligën e Kosovës fillon më 12 gusht. Mbetet të shihet nëse Gjilani do të jetë pjesë e tij. Por tashmë është e sigurt që Gjilani i fortë i viteve të kaluara nuk do të jetë më.