Skuadra e Gjilanit të shtunën është dashur ta luajë ndeshjen e parë të edicionit 2023/2024 të Superligës së Kosovës në futboll. Por ndeshja Fushë Kosova – Gjilani është shtyrë për afat të pacaktuar. Kërkesa për shtyrje të ndeshjes ishte bërë nga Gjilani, që po kalon ditë shumë të vështira.
Për gjendjen aktuale në klub nuk ka folur askush te Gjilani. Por KOHA ka mësuar se skuadra gjilanase i ka ndërprerë stërvitjet para dy ditësh. Ato i kishte nisur vetëm pak ditë më parë. Nuk dihet se kur do t’i rifilloj puna me 20 lojtarët e rinj, që gjatë ditëve të kaluara i ka udhëhequr Genc Sermaxhaj. Madje nuk është e sigurt se ata do të kthehen në stërvitje.
“Nuk janë duke stërvitur. I kanë nisur stërvitjet, por janë ndërprerë deri në një zgjidhje. Genc Sermaxhaj i ka udhëhequr stërvitjet me 20 lojtarë të rinj, por aktualisht janë ndërprerë ushtrimet. Uroj që të rinisin sa më parë, por kjo do të varet nga rrjedha. Angazhimi nuk mungon për një zgjidhje, por të shohim se si do të shkojnë gjërat”, ka thënë një person i afërt me klubin në kushte anonimiteti.
KOHA ka kontaktuar pronarin e klubit Gjilani, Florim Zukën. Zuka nuk ka dashur të flas për gjendjen aktual dhe të ardhmen e tij në klub.
Klubi i futbollit Gjilani është Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK). Për shumë vjet ishte shquar për organizim, për financa stabile dhe korrektësinë ndaj lojtarëve.
“Florim Zuka ka hequr dorë, por ende e ka në pronësi klubin. Tani janë duke u zhvilluar disa takime me investitorë potencialë. Zuka nuk po kërkon asgjë në kompensim. Interesimi nga investitorët është i madh, por nuk është e lehtë sepse është duke shkuar koha dhe në klub janë prapa me gjithçka”, ka thënë tutje burimi i KOHËS.
Gjilanit iu larguan lojtarët e edicionit të kaluar pak ditë pasi u ndal në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. U eliminua nga Progres Niederkorni i Luksemburgut. Pas ndeshjeve evropiane nisi shpërbërja e skuadrës. Nuk ka mbetur asnjë lojtar i rëndësishëm.
Kriza te Gjilani nisi vjet kur presidenti Florim Zuka njoftoi për largimin. Pati autorizuar një avokat për shitjen e 100 % të aksioneve në vlerë prej 550 mijë eurove. Por Zuka u tërhoq nga vendimi për shitje të klubit dhe u kthye në janar thuajse papritur.
Skuadra e Gjilanit regjistroi një edicion të suksesshëm. Njëri prej ekipeve më të mëdha në Kosovë për disa vjet, e përfundoi në vendin e tretë edicionin e kaluar në Superligë dhe u paraqit në finale të Kupës. Kështu skuadra luajti dy ndeshjet evropiane në të cilat trajner ishte Klodian Duro, që po ashtu qëndroi shkurt. Duro u largua për shkak të gjendjes së vështirë në klub.
E ardhmja është plotësisht e paqartë dhe duket shumë e vështirë. Klubi nuk mund të bëj asnjë transferim. I është bllokuar nga FIFA e drejta e transferimeve për shkak të borxhit që ka ndaj vëllezërve, Keita Razak dhe Keita Aziz. Dy lojtarëve u ka borxh nga 36 mijë euro. Borxhet tjera i ka shlyer më herët.
“Stërvitjet janë ndërprerë për të mos u thelluar më shumë në obligime”, ka shtuar burimi i KOHËS.
Fushë Kosova dhe Gjilani duhet të takohen edhe me grupmoshën U21. Por edhe kjo ndeshje është bërë e ditur se do të luhet më vonë.
“Nuk e di se a do të ketë kapacitet të luhet me ekipin U21. Kjo nuk është diskutuar, sepse interesi i të gjithëve është që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë”.
Tashmë është e qartë se Gjilani i fortë e pretendent nuk do të shihet edicionin e ardhshëm. Mbetet të vendoset nëse Gjilani do të jetë pjesë e Superligës.