Sport

Gjilani lë prapa telashet financiare, synon Evropën

Gjilani kishte telashe të mëdha organizative e financiare. Por, futbollistët dhe trajneri Zekirija Ramadani kanë lënë prapa ato për t’u fokusuar te arritja e synimit. Synimi i Gjilanit është dalja në Evropë. Gjilani vetëm të hënën është riorganizuar, pas kthimit të Florim Zukës, ndërsa të mërkurën ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll. Trajneri Ramadani ka theksuar presidenti Zuka do t’u qëndrojë prapa deri në fund të edicionit. Stërvitjen e parë e kanë mbajtur në fushën me bar sintetik në Gjilan. Në Gjilan do të stërviten edhe për një kohë, ndërsa nuk pritet të udhëtojnë larg për fazën e fundit përgatitore.

“Ishte shumë lehtë bindja për t’u rikthyer. Pas dy takimeve me presidentin pash vendosmërinë e tij që të na qëndroj prapa deri në fund të kampionatit me seriozitetin. Pak me vonesë, por asnjëherë shumë vonë”, ka thënë Ramadani.

Në fakt, Ramadani pati konfirmuar largimin nga Gjilani. Por, ai insiston se është kthyer vetëm pasi një gjë të tillë vendosën ta bëjnë edhe lojtarët.

“Do të lodhemi për ta arritur objektivin dhe objektivi është dalja në Evropë. 90 % e ekipit është ai që kemi qenë edhe më herët. Na ka mundësuar për të mbajtur objektivin dhe seriozitetin e futbollistëve në stinorin vjeshtor. Edhe pse kishim një milion probleme, ne nuk u dorëzuam, kemi dhënë maksimumin. Jam i bindur që me marrëveshjen që kemi bërë me presidentin Zuka do të jetë shumë më i lehtë stinori pranveror, pasi kur ke mbështetjen e presidentit është shumë më ndryshe”, është shprehur Ramadani.

Gjilani stinorin vjeshtor e përfundoi në pozitën e katërt në tabelë, ndonëse me telashe dhe pa marrë asnjë pagë.

Gjilani rrezikoi që të mbetej edhe pa lojtarët e tij kryesor. Shumë lojtarë u kërkuan nga klube të ndryshme të Kosovës, por edhe jashtë saj.

Të mërkurën, në stërvitjen e parë munguan portieri Enea Koliqi, Mevlan Zeka, Elton Cale dhe Besart Krivanjeva. Ky i fundit nuk pritet të vazhdojë me Gjilanin, ndërsa të tjerët sipas Zekës, kanë munguar me arsye.

“Ekipi dje ka marrë një pjesë të borxhit dhe kjo shihet nga motivi i skuadrës. Mendoj edhe nga ana e presidentit edhe nga ana jonë kemi sakrifikuar për ta shpëtuar Gjilanin dhe objektivin që ka ky ekip. Është marrëveshje e brendshme dhe nuk duhet të dalin, sidomos nga ana ime. Është marrëveshje që jemi ndarë të kënaqur të gjithë”, ka thënë Ramadani.

Edhe futbollistët janë ndarë të kënaqur me marrëveshjen që kanë arritur me Gjilanin. Kjo është konfirmuar edhe nga mesfushori Albert Dabiqaj.

“Mendoj se për klubin e Gjilanit është bërë një sakrificë e mirë, por kjo mbetet mes nesh dhe kryesisë së klubit. Besoj se Gjilanin e presin ditë të mirë. Ne jemi të fokusuar në fushë dhe të shohim çfarë do të sjell e ardhmja”, ka thënë Dabiqaj.

Albert Dabiqaj dhe Arbër Prekazi ishin dy prej shumë lojtarëve të Gjilanit që u kërkuan nga klube të ndryshme. Por, në fund vendosën të vazhdojnë me Gjilanin.

“Kemi një ekip të mirë dhe besoj se do t’ia dalim. Duhet punë dhe përkushtim, por kemi pranuar disa kompromise dhe jemi bashkë për t’i arritur synimet tona. Siç është I njoftuar I gjithë opinioni që Gjilani ka qenë me problem në gjashtë muajt e fundit. Kemi qenë në mëshirë të fatit, por falë vullnetit të mirë të tifozëve, punëtorëve dhe presidentit të klubit jemi kthyer me kompromiset që i kemi bërë ku jemi ndarë të kënaqur të gjithë lojtarët për të vazhduar të arrijmë objektivat që i kemi para vetes”, ka thënë Prekazi.

Së fundmi, një studio ligjore në Gjilan ka marrë përsipër shitjen e klubit për 550 mijë euro. Të hënën është caktuar organizimi i një evenimenti për shitjen e 100 % të aksioneve të klubit Gjilani.