Sport

Te Gjilani i besojnë grupit për fitore në Luksemburg

Skuadra e Gjilanit ka udhëtuar drejt Luksemburgut pa ndonjë bujë të madhe. Nuk ka dhënë shumë detaje as për ndeshjen që do ta zhvillojë të enjten pasdite në Niederkorn, kundër skuadrës së këtij qyteti, Progresit.

Takimi Nierderkorn Progres – Gjilani luhet nga ora 19:30 dhe i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Kapiteni i Gjilanit, Besar Musolli, thotë se atmosfera në ekip është e mirë. Ai ka theksuar se Gjilani beson në grupin e lojtarëve për ta fituar ndeshjen ndaj Progresit.

“Grupi është shumë i bashkuar dhe i motivuar për ndeshje. Do të bëjmë më të mirën e mundshme”, ka thënë mesfushori Musolli të mërkurën për KOHËN.

Për Gjilanin kjo është hera e tretë që paraqitet në garat e UEFA-s. Vitin e shkuar luajti në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, por u eliminua.

Përgatitjet për paraqitjen e tretë në kupat evropiane skuadra gjilanase i ka nisur me kohë.

“Ekipi ka shkuar shumë mirë me përgatitjet. Kemi udhëtuar më herët drejt Luksemburgut për t’u ambientuar sa më mirë. Presim një ndeshje jo të lehtë, megjithëse ne kemi objektivin e qartë për ta kaluar këtë sfidë”, është shprehur Musolli.

Gjilani ka bërë disa ndryshime në stafin e trajnerëve dhe përbërjen e lojtarëve. Në krye të shtabit teknik emëroi Klodian Duron, pas largimit të trajnerit Zekirija Ramadani për në Arabi Saudite.

Gjilanit i janë larguar disa lojtarë, duke përfshirë Albert Dabiqajn dhe Enea Koliçin. Ndërsa për garat evropiane skuadra është përforcuar me portierin Angelo Tafas dhe sulmuesin Atdhe Rashiti. Të dy u huazuan nga Kukësi. Gjilani ka mbajtur shumicën e lojtarëve që bartën barrën kryesore në edicionin 2022/2023.

Paraqitjen në raundin e parë kualifikues të garës së tretë evropiane për nga niveli e siguroi përmes pozitës së tretë në Superligën e Kosovës.

Gjilani ndeshjen kthyese do ta luajë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë pas një jave.

Progres Niederkorni ka dalë nënkampion i Luksemburgut edicionin e fundit. Ekipi nga Luksemburgu ka fituar tre tituj kampioni, të fundit në vitin 1981.

Në rast të kualifikimit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, Gjilani përballet me danezët e Midtjyllandit.