Klodian Duro ka thënë se skuadra e Gjilanit është e gjitha e përqendruar për ta bërë maksimumin për duelin kundër Progres Niederkornit të Luksemburgut.
Trajneri i skuadrës gjilanase theksoi se është kryer vetëm gjysma e punës, ndërsa të enjten e ka pjesën tjetër për t’u kualifikuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Gjilani në “Fadil Vokrri” të enjten në orën 20:00, e pret Progresin, me të cilin barazoi në duelin e parë para një jave, 2:2.
“Nëse luajmë futboll të mirë në fushën e lojës, besojmë se do të marrim maksimumin. Jam i kënaqur me gjithçka që kam gjetur te Gjilani. Nuk ka qenë situatë e lehtë, sepse jemi organizuar për këtë fazë në kohë rekord. Nuk ka qenë e lehtë të zëvendësojmë Koliçin si portier dhe Dabiqajn në mesfushë. Jam tepër i kënaqur. Jemi paraqitur denjësisht në Luksemburg. Sigurisht kemi për të bërë akoma pasi vetëm gjysma e punës është kryer. Është një kundërshtar që kërkon respekt, por nuk kemi frikë. Ndryshuam mirë nga ana taktike dhe arritëm të reagonim. Nuk ishte i lehtë rikthimi”, ka thënë Duro në konferencën për shtyp të mërkurën.
Ai ka thënë se stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë është fushë e shqiptarisë dhe se Gjilani është mësuar të luajë në Prishtinë. Pret që të ketë përkrahje të fuqishme nga tifozët në tribuna, të cilët i llogarit si lojtar të 12-të. Por, shtoi se më mirë do të ishte që të luanin në Gjilan.
“Do të hyjmë të bindur dhe të përqendruar. Kemi planin tonë dhe duke qenë të koncentruar nga ajo që kërkojmë, besoj se duke dhënë shpirtin dhe zemrën në fushë, do të kemi paraqitje dinjitoze”, tha Duro.
Arbnor Ramadani i realizoi të dy golat në barazimin 2:2, në ndeshjen e zhvilluar në Luksemburg. Edhe mesfushori me tipare sulmuese pret përkrahje nga tifozët.
“Shpresojmë ta kemi përkrahjen e të gjithëve. Do të jetë ndeshje e vështirë. Besoj se do të hyjmë në fushë duke dhënë maksimumin”, është shprehur Ramadani.