Trajneri i Gjilanit, Klodian Duro, ka thënë se ekipi tij do të ketë qasje tjetër në fushë, të enjten mbrëma në Prishtinë, në ndeshjen ndaj Progres Nierderkonit të Luksemburgut.
Duro ka thënë se ekipi i tij do ta japë “shpirtin dhe zemrën” në fushë për ta kaluar skuadrën nga Luksemburgu.
Ndeshja Gjilani – Progres Nierderkorn luhet nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja e parë e zhvilluar javën e kaluar në Luksemburg përfundoi 2:2. Kështu kalimi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës është plotësisht i hapur.
Trajneri Duro insiston se Gjilani ka forcë për të kaluar tutje. Për ta siguruar kualifikimin, Duro ka kërkuar nga futbollistët ta japin maksimumin. Ndihmë të madhe pret edhe nga shikuesit.
“Jemi të gjithë të përqendruar për ta bërë maksimumin. Kemi bërë vetëm gjysmën e punës. Është një kundërshtar i fortë dhe gëzon respektin tonë. Tani kemi një pjesë tjetër më të vështirë. Kemi punuar gjatë javës me përkushtim dhe nëse luajmë futboll të mirë besojmë se do ta marrim maksimumin”, ka thënë Klodian Duro.
Duro është i kënaqur me rezultatin dhe paraqitjen e ekipit në ndeshjen e parë.
“Jam i kënaqur me gjithçka që kam gjetur te Gjilani. Nuk ka qenë situatë e lehtë, sepse jemi organizuar për këtë fazë në kohë rekorde. Nuk ka qenë e lehtë të zëvendësojmë Enea Koliçin si portier dhe Albert Dabiqajn në mesfushë. Jam tepër i kënaqur. Jemi paraqitur denjësisht në Luksemburg. Sigurisht kemi për të bërë akoma pasi vetëm gjysma e punës është kryer. Është një kundërshtar që kërkon respekt, por nuk kemi frikë. Ndryshuam mirë nga ana taktike dhe arritëm të reagonim. Nuk ishte i lehtë rikthimi”, është shprehur Duro.
Duro, që si lojtar kishte përvojë të gjatë ndërkombëtare, ka besimin se lojtarët e tij do të bëjnë krenarë tifozët e Gjilanit.
“Do të hyjmë të bindur dhe të përqendruar në fushë. Kemi planin tonë dhe duhet të hyjmë të përqendruar dhe ta marrim atë që kërkojmë. Për të pasur paraqitje dinjitoze pres nga lojtarët ta japin shpirtin dhe zemrën në fushë”.
Gjilanit në ndeshjen në Prishtinë do t’i mungojë Oltion Bilalli.
Përkrah Duros në konferencë ishte Arbnor Ramadani. Mesfushori e ka vlerësuar të vështirë ndeshjen ndaj Progresit.
“Shpresoj ta kemi përkrahen e ‘Skifterave’. Do të jetë ndeshje e vështirë. Besoj se do të hyjmë duke dhënë maksimumin për të kaluar tutje”, ka thënë Ramadani. Ai shkëlqeu në ndeshjen e parë duke i shënuar të dy golat. Shënoi dy herë nga penalltia.
Në rast të kualifikimit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, Gjilani përballet me danezët e Midtjyllandit.