Seria e mahnitshme prej 43 ndeshje pa humbje e Spanjës përfundoi të dielën mbrëma. Spanjollët humbën 3:2 në shtëpi nga Anglia, në Ligën e Kombeve.
Humbjen e kaluar Spanja e kishte pësuar nga Kolumbia në mars të vitit 2024, në miqësore. Pak muaj më pas spanjollët e fituan Evropianin dhe në verë fituan Botërorin. Spanja në fakt e humbi finalen e kaluar të Ligës së Kombeve nga Portugalia. Ajo ndeshje u vendos me penallti, por statistikisht llogaritet barazim, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan 2:2.
Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka vlerësuar Anglinë.
“Në 30 minutat e parë kundërshtarët na nxorën nga ritmi dhe ishin më të mirë se ne. Më pas ne u kthyem në lojë dhe mendova se do të barazonim”, ka thënë De la Fuente. “Fakti që e gjithë bota dëshiron ta mposhtë Spanjën, është ndjenjë e mrekullueshme. Ishte si një finale dhe në ndeshje të tilla duhet të jesh i përkryer, në formë të shkëlqyer. Nëse jo, atëherë kundërshtare si Anglia, Franca, Portugalia apo Italia, mund të dominojnë plotësisht”.
De la Fuente megjithatë ka folur fjalë inkurajuese për ekipin e tij. Ai ka thënë se lojtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për madhësinë e asaj që kanë arritur.
“Duhet të jenë të vetëdijshëm sa e vështirë ishte dhe duhet të jenë krenarë”, tha tekniku spanjoll.