Sport

Curri: Prishtina kur është duke u fundosur, ngrihet

Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri është ndarë i kënaqur me triumfin në Kupën e Kosovës. Ai ka thënë se Prishtina në momentet më të rëndësishme di të ngritët dhe të fitoj trofe. Curri pranoi se Prishtina pati probleme, por u mobilizua për ta fituar trofeun e Kupës.

“Nuk dua të flas për licencim, nuk jam kompetent, jam kompetent për fushë dhe kemi dhënë maksimumin në fushë. Prishtina nuk është asnjëherë e dobët. I kam dëgjuar shumë. Prishtina kur është duke u fundosur, ngrihet. Prishtina në momentin më të rëndësishëm di të ngrihet dhe të fitoj trofe”, ka thënë Curri pas ndeshjes për “Art Motion”. Për Currin është trofeu i parë si trajner i Prishtinës. Ai zëvendësoi trajneri ne shkarkuar, Ismet Munishin. Curri ka falënderuar edhe “Plisat” për përkrahje. “Jam shumë i lumtur. Kemi pasur vështirësi gjatë sezonit, sidomos në muajt e fundit. Ka pasur jo licencimi, jo ajo jo kjo. Por i kemi mbledhur forcat dhe jam i kënaqur me futbollistët që sakrifikuan shumë. Falënderoj edhe ‘Plisat’ për përkrahjen. Është trofeu im i parë si trajner dhe ndenj e mirë. Kam qenë fëmijë i Prishtinës. Nuk e kam përfaqësuar asnjë skuadër tjetër”, ka theksuar Curri.