Sport

Curri synon Kupën dhe vendin e tretë me Prishtinën

Tri fitore në po aq ndeshje. Ky është bilanci i Prishtinës prej se drejtohet nga Debatik Curri. Por, synimi i ish-futbollistit të suksesshëm si trajner i Prishtinës është i madh.

Pas “ringjalljes” së skuadrës, Curri kërkon që ta drejtojë Prishtinën drejt triumfit në garën për Kupë të Kosovës, e po ashtu që ta përfundojë edicionin aktual të Superligës në vendin e tretë. Prishtina i është afruar Gjilanit në dy pikë. Ekipi i kaltër zë vendin e katërt me 38 pikë, derisa Gjilani është i treti.

Debatik Curri në krye të shtabit teknik të Prishtinës e zëvendësoi të shkarkuarin, Ismet Munishi. Munishi u largua për shkak të rezultateve të dobëta. Por, Prishtina me Currin njeh veç fitore. Ai ishte ndihmës i parë i Ismet Munishit.

Prishtina fitoren e fundit e shënoi ndaj Trepçës ’89. Skuadrën mitrovicase e mposhti thellë, 4:1, të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të javës së 27-të të elitës së futbollit kosovar. Para ekipit mitrovicas, Prishtina mposhti Drenicën në Skenderaj, kurse eliminoi Ballkanin në çerekfinale të Kupës.

“Jemi në dy garat, jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe në luftë për vendin e tretë. Synimi është të përfundojmë në vendin e tretë dhe të luftojmë deri në fund edhe në garën e Kupës. Në dy frontet do të luftojmë dhe të shohim në fund plasmanin, por shpresoj të jetë në të mirën tonë, pra duke e mbyllur kampionatin në vendin e tretë”, ka thënë Curri për KOHËN të dielën.

Ish-reprezentuesi i Shqipërisë është i kënaqur me formën që kanë treguar futbollistët e Prishtinës.

“Jam shumë i kënaqur me qasjen e lojtarëve dhe ecurinë e rezultateve të fundit, duke ditur faktin që ndeshjen e parë e patëm kundër Ballkanit, ekipit kampion në fuqi dhe cilësor. Po ashtu, ndeshje të vështira kishim edhe kundër Drenicës dhe Trepçës ’89. Kam kërkuar që në çdo ndeshje qasja e futbollistëve të jetë e njëjtë, pavarësisht se kundër kujt luajmë. Shpresoj të vazhdojmë njëjtë edhe në ndeshjet e tjera dhe të jemi në objektivat që i kemi si klub”, është shprehur Curri.

Curri që kur përfundoi karrierën si futbollist në vitin 2018, ka qenë ndihmës te Prishtina. Ka punuar me gjashtë trajnerë të Prishtinës: Mirel Josa, Bylbyl Sokoli, Armend Dallku, Zekirija Ramadani, Abdulah Ibrakoviq dhe Ismet Munishi.

“Nëse më herët ndonjë trajner kryesor ka pushuar për ndonjë arsye, kur kam qenë si ndihmës, përgjegjësinë dhe vendosjen e lojtarëve apo edhe ndërrimeve i kanë marrë ata, gjithnjë duke u koordinuar. Tash përgjegjësia është komplet e imja. Unë jam ai që vendos se kush do të luajë, gjithnjë duke u konsultuar me stafin që e kam. Por, përgjegjësitë më takojnë mua, sepse unë jam trajner i Prishtinës”, ka thënë Curri.

Prishtina në mesjavën e ardhshme e luan ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Do të përballet me Vushtrrinë. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 19 prill. Skuadra e kaltër pastaj do të luajë dy ndeshje si vendase në kampionat, kundër Dukagjinit dhe Ferizajt.

“Çdo ndeshje është e vështirë në Superligë dhe duhet qasja e njëjtë sikur të ishte një finale. Duhet të hyjmë për t’i fituar ndeshjet pasi i luajmë në shtëpi. Kemi edhe ndeshjen e Kupës të mërkurën për të fituar”, thotë ish-mesfushori i skuadrave të shumta.

Curri pret që në krye të Prishtinës të mbetet edhe pas përfundimit të edicionit aktual.

“Shpresoj të kemi sukses së bashku. Dëshira dhe ëndrra ime nga fëmijëria ka qenë që me Prishtinën të kem sa më shumë suksese. Do të luajë ai që meriton, pavarësisht moshës që ka. Edhe unë si 17-vjeçar kam debutuar me fanellën e Prishtinës dhe nëse një lojtar na bindë që meriton të luaj, do të luaj. Unë e kam falënderuar kryesinë dhe drejtorin sportiv që më ka dhënë besimin për ta drejtuar skuadrën. Po e bëj punën, po angazhohem maksimalisht dhe dëshira ime është që ta drejtoj skuadrën. Më është dhënë mundësia dhe shpresoj të qëndroj më gjatë në krye të Prishtinës”, ka thënë Curri.

Curri si futbollist kishte karrierë të pasur. Ai ka luajtur për Shqipërinë në 44 ndeshje, ndërsa ka shënuar një gol kundër Holandës. Një ndeshje e ka luajtur për Kosovën, derisa në nivel klubesh karrierën e mbylli te Prishtina, ku edhe e nisi. Nga Prishtina ishte transferuar te Vorskla në Ukrainë, ku ka lënë gjurmë të mëdha. Ka luajtur më pas te Gençlerbirligi në Turqi, Hoverlta e Sevastopoli në Ukrianë si dhe te Tirana e Flamurtari i Vlorës në Shqipëri.