Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i UEFA-s nuk u frikësohet investimeve të arabëve

Futbolli evropian nuk duhet t’i frikësohet eksodit të lojtarëve në klubet e Arabisë Saudite, ka thënë të dielën presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. Slloveni Çeferin ka nënvizuar se shteti arab po bën gabim duke investuar në yje që janë në fund të karrierës.

Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema kanë marrë qindra miliona euro për t’iu bashkuar klubeve arabe. Oferta të njëjta kishin edhe Lionel Messi dhe Luka Modriq. Këta lojtarë e kanë fituar “Topin e Artë” që prej vitit 2008 dhe të gjithë janë të paktën 35-vjeçar.

Më shumë lojtarë pritet t’i përcjellin ata, pasi katër klube të Arabisë Saudite janë marrë në pronësi nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), me udhëheqës Princin e Kurorës, Mohammad bin Salman.

Çeferini është pyetur nga transmetuesi holandez NOS, nëse është i frikësuar nga eksodi i lojtarëve dhe është përgjigjur menjëherë me: “Jo, jo, jo”.

“Mendoj se është gabim për futbollin e Arabisë Saudite”, ka thënë presidenti i UEFA-s në intervistën e publikuar të dielën.

Edhe Pse paratë nuk sollën suksesin në Botëror për Arabinë e Katarin? Botërori 2026 Pse paratë nuk sollën suksesin në Botëror për Arabinë e Katarin?

“Pse është problem për arabët? Sepse ata duhet të investojnë në Akademi, duhet të sjellin trajnerë dhe duhet t’i zhvillojnë lojtarët e tyre. Sistemi i blerjes së lojtarëve që thuajse e kanë përfunduar karrierën nuk është sistem që zhvillon futbollin”, ka thënë kryetari i Konfederatës Evropiane. “Gabim të ngjashëm ka bërë Kina kur bleu të gjithë lojtarët që ishin në fund të karrierës”.

Didier Drogba ishte ylli i madh i transferuar në ligën kineze në vitin 2012, ndërsa klubet kineze angazhuan edhe emra tjerë të mëdhenj si Nicolas Anelka dhe Frederic Kanoute. Liga kineze dhe përfaqësuesja kineze kishte përparuar pak në skenën ndërkombëtare në vitet pasuese.

“Më tregoni një lojtar që është në majë, me moshë të mirë dhe që e nis karrierën dhe shkon të luajë në Arabinë Saudite?”, ka pyetur Çeferini gjatë intervistës.

“Nuk është vetëm për para. Lojtarët dëshirojnë të fitojnë ngjarje. Dhe ngjarjet më të mëdha janë në Evropë”, ka thënë lideri i UEFA-s.

Vala e parë e superyjeve që po synohen nga Arabia Saudite ka fituar disa herë trofe të Ligës së Kampionëve në Evropë. Messi e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën vitin e kaluar dhe iu bashkua Inter Miamit në “Major League Soccer”, derisa Modriqi po synon të qëndrojë te Real Madridi edhe për një edicion.

“Ne nuk i humbëm ata”, ka thënë Çeferini kur është pyetur nëse futbolli evropian ka humbur rëndësinë. “Ata ende luajnë futboll. Në fund të karrierës lojtarët shkojnë diku tjetër për të fituar para”.

Edhe As Arabia Saudite e as FIFA nuk mundën ta dërgonin Ronaldon në Botërorin e klubeve Futboll As Arabia Saudite e as FIFA nuk mundën ta dërgonin Ronaldon në Botërorin e klubeve

Arabia Saudite e ka një vend në Ligën e Kampionëve me Newcastlen që është kualifikuar nëpërmjet vendit të katërt të Premier Leagues, në sezonin e parë ku 80% e klubit është në pronësi të fondit arab.

Newcastle u është bashkuar ekipeve që shpenzojnë shumë në garën me 32 ekipe, bashkë me Paris Saint-Germainin e Katarit dhe Manchester Cityn që përkrahet nga Abu Dabi, e që është kampion i fundit. Presidenti i PSG-së, Nasser al-Khelaifi është aleat i afërt i Çeferinit si anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s. Ai është kryetar i transmetuesit “beIN Media Group”, që është një prej klientëve më të mëdhenj të UEFA-s për të drejtat televizive.

Çeferini theksoi se UEFA po shikon të vendos rregulla të reja për të vendosur kufi për paga dhe transferime të klubeve që kualifikohen në garat evropiane.

“Sepse ne nuk duam që dy apo tri klube që kanë të ardhura të pakufizuara të kenë buxhet prej 5 miliardë apo 10 miliardë”, tha ai. “Më pas garat nuk janë interesante. Praktikisht çdo klub pajtohen me këtë”, ka thënë Çeferini. “Jemi shumë larg ndonjë vendimi, vetëm po e mendojmë atë”.

Është ende e paqartë se si UEFA mund të vendos rregulla të tilla brenda ligjeve të Bashkimit Evropian, ku ka regjime të ndryshme të taksave. Pagat janë marrë në konsideratë për 15 vjet, qëkur futbolli evropian krijoi rregullat e “ferplejit financiar” për të monitoruar të ardhurat dhe shpenzimet e klubeve.

Edhe Presidenti i UEFA-s flet për Evropianin Shqipëri – Serbi: Mundësi e shkëlqyer Futboll Presidenti i UEFA-s flet për Evropianin Shqipëri – Serbi: Mundësi e shkëlqyer

UEFA nën drejtimin e Çeferinit që prej vitit 2016 ka diskutuar për idenë që ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve ta mbajë në një qytet jashtë Evropës.

Kjo për një kohë nuk do të ndodhë, pasi finalet e ardhshme janë caktuar të luhen në Londër dhe Munih.