Euro 2024

Çeferini tregon se nga kush u impresionua në “Euro 2024”

Aleksandar Çeferin

Presidenti i Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Aleksander Çeferin, ka deklaruar se ka mbetur i impresionuar nga Kampionati Evropian në Gjermani.

Ai në një intervistë dhënë për gazetën spanjolle “AS” të dielën, ka thënë se ka pasur edhe shumë përfaqësuese që kanë shfaqur futboll shumë interesant.

“Evropiani po bëhet gjithnjë e më interesant. E shihni Gjeorgjinë dhe Slloveninë, përfaqësuese që ndoshta nuk janë kualifikuar më parë, por në këtë Evropian kanë qenë në mesin e 16-të më të mirave. Mund ta shihni se gjithkush mund ta mposhtë këdo. Kemi pasur 24 përfaqësuese fantastike dhe nëse i shtojmë edhe dy apo tri të tjera, Evropiani do të jetë edhe më i fortë se Kupa e Botës”, ka deklaruar presidenti i UEFA-s.

Slloveni Çefefin ka thënë se ka pasur edhe shumë futbollistë të rinj që kanë dalë në pah në “Euro 2024”.

“Ka pasur shumë lojtarë cilësorë. Unë gjithmonë jam mahnitur nga kualiteti i Bellinghamit. Dhe natyrisht, Kane. Por më së shumti më ka impresionuar Rodri, truri i Spanjës që nuk e humb topin asnjëherë dhe nuk e di se si mundet. Kvaratskhelia është një tjetër lojtar i mirë, dhe lojtari i Sllovenisë, Karniçnik. Jam i sigurt se nuk keni dëgjuar kurrë për të. Ai luan në ligën sllovene dhe ka shfaqur nivel të lartë në turne. Ka pasur edhe shumë lojtarë tjerë”, ka shtuar Çeferin.

Në fund ai ka folur edhe për rregullin e ri që vetëm kapitenët të kenë të drejtë të flasin me gjyqtarët.

“Mendoj se kjo është gjë e mirë dhe ekipet janë të lumtura për këtë po ashtu. Federatat kanë thënë se këtë do ta aplikojnë edhe në ligat e tyre. Mendoj se nuk është e drejtë të tolerohen dhjetë lojtarë që e rrethojnë gjyqtarin dhe e fusin atë nën presion. Është mirë të dihet se kush është kapiteni dhe se ai flet direkt me gjyqtarin. Këtë do ta bëjmë edhe në garat ekipore nga edicioni i ardhshëm”, ka deklaruar Çeferin.