Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, thotë se nuk do të kandidojë për president të FIFA-s, por e ka paralajmëruar presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Gianni Infantino, se ose duhet të japë dorëheqje ose të përballet me sfidues në Kongresin në mars.
Presidenti i FIFA-s, Infantino, është vënë nën presion në rritje për t’u tërhequr për shkak të planit të tij për shitje të aksioneve tek investitorët privatë. Plani ka dështuar, por UEFA ka po insiston për largimin e Infantinos. Në fakt janë tri konfederata që e kanë akuzuar Infantinon për mashtrim. UEFA, që e drejton futbollin në Evropë, ka kërcënuar po ashtu me bojkotim të garave të FIFA-s.
“Një mundësi është që ai të kuptojë se nuk ka mbështeje. Dhe kjo nuk është vetëm mbështetje politike e atyre që votojnë, por mbështetja politike e komunitetit të futbollit, mbështetja politike e tifozëve, lojtarëve, ish-lojtarëve, trajnerëve”, ka thënë Çeferin në një podkast britanik, shkruan të hënën AP.
“Dhe mundësia e dytë është që ai të shkojë në zgjedhje në mars, por në atë rast mendoj se do të ketë një kandidat kundër tij. Nuk e di ende se kush”.
Infantino është president i FIFA-s nga viti 2016 dhe deri në paraqitjen e propozimit për shitjen e aksioneve, dukej i sigurt se do të rizgjidhej pa kundërshtar, vitin e ardhshëm në Marok. FIFA ka vendosur 18 nëntorin si afat për të paraqitur kandidatura për president.
Pavarësisht se shihet gjerësisht si sfidues i mundshëm i Infantinos, slloveni Çeferin shprehu përkushtimin e tij ndaj UEFA-s.
Edhe
Çeferini flet për Evropianin Shqipëri – Serbi, tregon qëndrimin e UEFA-s
“Nuk jam i interesuar për dy arsye. Njëra arsye është se e dua UEFA-n dhe më pëlqen puna këtu dhe në një moment të caktuar është koha për të shijuar pak jetën. Arsyeja e dytë është se kredibiliteti im është shumë më i madh nëse nuk jam i interesuar për pozitë”, ka thënë Çeferin.
Çeferini tha se propozimi për të shitur aksionet ishte kërcënim më i madh për futbollin se plani për Superligën Evropaien, të cilin UEFA e luftoi me sukses në vitin 2021. Sipas 58-vjeçarit, nuk janë vetëm vendet e mëdha kundër shitjes së aksioneve të Botërorit.
“Nga njëra anë ishin Anglia, Gjermania, që nuk e duan këtë, sepse këto para nuk janë aq të mëdha për to. Por nga ana tjetër ishin San Marino, Qiproja, Lihtenshtajni, që thanë se nuk jemi në shitje”, ka thënë Çeferin.