Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

UEFA del me kandidat për president të FIFA-s

UEFA

Drejtuesi i futbollit francez, Philippe Diallo, u zyrtarizua të hënën si kundërshtar i papritur i Gianni Infantinos, në atë që duhet se do të jetë garë me tre kandidatë për presidencën e FIFA-s.

UEFA, që udhëheqë futbollin në Evropë, e propozoi Diallon gjatë një mbledhjeje të thirrur me nxitim të hënën. Në mbledhje mori pjesë Komiteti Ekzekutiv prej 21 anëtarësh, pjesë e të cilit është edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Francës.

“Philippe Diallo e ka pranuar ftesën për të kandiduar”, deklaroi UEFA, duke theksuar “përvojën e gjerë në të gjitha nivelet e lojës” që ka drejtuesi 63-vjeçar.

Diallo pritet t’i bashkohet zyrtarit veteran japonez, Kohzo Tashima, si kandidat për garën e 18 marsit. Afati i fundit i vendosur nga FIFA për paraqitjen e kandidaturave për president është mesnata e së mërkurës.

Infantino e kërkon mandatin e katërt si president i FIFA-s, ndërsa përballet me krizën më të madhe të periudhës së tij gati 11-vjeçare në krye të shtëpisë botërore të futbollit. Kjo krizë erdhi pas planit për të shitur aksione të Kupës së Botës tek investitorët privatë, që dështoi ndërkohë.

Reagimet që pasuan thelluan pakënaqësinë ndaj lidershipit të Infantinos. Pakënaqësi ka sidomos në Evropë, Amerikë të Veriut dhe në disa pjesë të Azisë, përfshirë Japoninë.

Ndër shqetësimet e ngritura është edhe ai se Infantino ka vepruar i vetëm kur krijoi çmim paqeje për presidentin amerikan Donald Trump vitin e kaluar, si dhe kur lejoi sulmuesin amerikan Folarin Balogun t’i shmangej një pezullimi të detyrueshëm në Kupën e Botës.

“Duke pasur parasysh shqetësimet serioze lidhur me drejtimin e FIFA-s, federatat kombëtare bënë thirrje për rikthimin e unitetit dhe besimit brenda komunitetit global të futbollit. Ato shprehën besimin e plotë se Philippe Diallo mund të ofrojë lidershipin e nevojshëm për të përmbushur këtë ambicie”, ka njoftuar UEFA-s.

Sipas UEFA-s, kandidatura e Diallos duhet të konfirmohet të martën në një mbledhje të Federatës së Futbollit të Francës.