Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Tek Irlanda presin të jenë më të guximshëm se në Prishtinë

Irlanda

Irlanda do të luajë ndaj Kosovës me më shumë guxim se në ndeshjen e kaluar në Prishtinë. Kështu ka thënë të hënën selektori i Irlandës, Heimir Hallgrimsson.

Irlanda e Kosova përballen të martën prej orës 20:45 në Dublin. Është ndeshje vendimtare e Grupit B2 të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kosova është e dyta në grup me gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda. Përfaqësuesja që përfundon e dyta në grup do të jetë në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve për Euro 2028 dhe po ashtu do të luajë në plejof për promovim në Ligën A. Austria tashmë e ka fituar garën në grup, ndërsa Izraeli nuk ka gjasa të dalë në vendin e dytë.

Në Prishtinë më 24 shtator, Kosova fitoi 1:0 ndaj Irlandës.

“Ishim shumë pasivë në Prishtinë”, ka thënë Hallgrimsson, që do të jetë pa kapitenin Nathan Collins, të lënduar të shtunën në humbjen 1:0 nga Austria.

“Nuk e di nëse kishte të bënte me fushën, udhëtimin apo që mendja ishte në ndeshjen e dytë, atë ndaj Izraelit. Kemi mësuar shumë nga ajo humbje, si nga çdo humbje tjetër, dhe duam të jemi më të guximshëm. Kjo do të thotë të marrim vendime më të guximshme dhe më të shpejta. Mendoj se e kemi bërë këtë ndaj Austrisë dhe nëse e përsërisim nesër mbrëma, do të jetë hap i mirë”.

Selektori i Irlandës nuk pret që Kosova të luajë për të siguruar barazim, ndonëse ai është i mjaftueshëm për “Dardanët”.

“Nuk pres që kosovarët të ndalen dhe të presin që ne të sulmojmë. Kosova është ekip i mirë me top, kështu që përfundimisht do ta shfrytëzojë këtë. Te Kosova do të ndihen komod për ta bërë këtë, pasi e kanë bërë shpesh dhe nuk pranojnë shumë gola. Nëse shikoni rezultatet e Kosovës në këtë cikël, janë 1:0 apo 0:0, shumica. Kështu që te Kosova do të mbrohen me besim. Duhet të jemi vërtet efikas në atë që bëjmë për t’i sulmuar kundërshtarët. Së pari duhet të vendosim ritmin. E dyta, duhet të kemi tifozët me vete pasi kjo do të jetë gjë e rëndësishme nesër. Duhet t’i kemi tifozët e entuziazmuar që ata të na ndihmojmë të kemi nivelin e duhur të energjisë gjatë ndeshjes. Është e rëndësishme që të fillojmë mençur, por me agresivitet”, ka shpjeguar Hallgrimsson.

Irlanda vlerësohet dukshëm më e fortë në shtëpi se në udhëtim. Një vit më parë e mposhti Portugalinë në Dublin. Së fundi në shtëpi Irlanda ka humbur më 10 shtator 2024, nga Greqia.

Troy Parrott vlerësohet lojtari më i rrezikshëm i Irlandës. Por ai nuk ka shënuar në tetë ndeshje rresht për Betisin. Së fundi realizoi për Irlandën në barazimin 1:1 me Izraelin, më 4 tetor. Gjatë atij grumbullimi i kishte shënuar edhe dy gola me Austrinë dhe një tjetër me Izraelin në ndeshjen e parë. Ai pret të realizojë në ndeshjen e së martës ndaj Kosovës.