Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Takohen këtë javë Xi, Trump dhe Putin, pritet të diskutojnë për “paqen botërore”

Donald Trump

Foto: Associated Press

Takimi mes presidentit kinez, Xi Jinping, presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Shenzhen këtë javë do të trajtojë çështje me “rëndësi të jashtëzakonshme”, përfshirë “ruajtjen e paqes botërore”, ka bërë të ditur të hënën ministria e Jashtme e Kinës.

Konfirmimi i bisedimeve të para trepalëshe të këtij lloji, që do të zhvillohen të enjten në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), forcon pozitën e Xi Jinpingut si një ndër ndërmjetësuesit kryesorë të fuqisë globale, ndërsa ai pret liderët botërorë në qytetin e zhvilluar teknologjik të Shenzhenit, në jug të Kinës.

Ende nuk dihet qartë se cilat tema do të jenë në tryezën e diskutimeve, por shumë aktorë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, shpresojnë që tri fuqitë më të mëdha bërthamore në botë të diskutojnë çështjen e çarmatimit bërthamor.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar këtë javë, diplomati më i lartë i Kinës, Wang Yi, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, “ranë dakord për rëndësinë e bisedimeve domethënëse në nivel liderësh, me qëllim avancimin e objektivave si paqja dhe çarmatimi bërthamor”, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Kina ishte e fundit nga tri fuqitë që ka konfirmuar zhvillimin e takimit trepalësh, ndërsa deklarata e saj nuk përmendi në mënyrë specifike temat që do të përfshihen në agjendë.

“(Liderët) do të shkëmbejnë pikëpamje të thelluara për ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha, çështje këto me rëndësi të jashtëzakonshme”, ka deklaruar zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.

Kremlini ka deklaruar se “rëndësia dhe simbolika e këtij takimi është e vështirë të mbivlerësohet”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se nëse tre liderët “angazhohen vërtet për një proces domethënës të çarmatimit bërthamor, kjo do të ishte një arritje e madhe për botën”.

Megjithatë, shumë analistë kanë paralajmëruar që pritshmëritë për një përparim të madh në këtë takim të mos jenë të tepruara.

Xi Jinping “do të përfitojë nga fakti se Kina është vendi që ka mbledhur liderët dhe ka përcaktuar agjendën”, ka shkruar Ryan Hass nga instituti Brookings në një analizë të tij.

Megjithatë, sipas tij, “simbolika mund të rezultojë më jetëgjatë sesa përmbajtja konkrete e këtij takimi”.

Tre liderët pritet t'u qasen bisedimeve me prioritete shumë të ndryshme, ka thënë për gazetën The Guardian Xiaoyu Pu nga Universiteti i Nevadës.

Kina ka refuzuar më herët përpjekjet për t'u përfshirë në negociatat për armët bërthamore me Rusinë dhe SHBA-në, të cilat zotërojnë arsenale më të mëdha bërthamore.

Megjithatë, Trumpi ka deklaruar se dëshiron të diskutojë çështjen e çarmatimit bërthamor, si dhe luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.

Kina, e cila është një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Teheranit zyrtar, është përpjekur të ndërmjetësojë në këtë konflikt dhe ka deklaruar se shmangia e rikthimit të luftimeve është “prioriteti kryesor”.

Në të kundërt, siç ka frikë Kievi, pushtimi rus i Ukrainës mund të mos diskutohet fare, pavarësisht se raportimet thonë se Putini dëshiron që kjo çështje të përfshihet në bisedime.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se Trumpi nuk pritet ta ngrejë këtë çështje, ndërsa presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se Xi kishte shfaqur “irritim” gjatë një takimi të fundit, kur u përmend mundësia që bisedimet trepalëshe të përfshinin edhe çështjen e Ukrainës.

Gazeta The Wall Street Journal ka raportuar javën e kaluar se administrata Trump kishte kundërshtuar kërkesat e Pekinit zyrtar që samiti të kishte një agjendë të përcaktuar në mënyrë rigoroze, me deklarata të përgatitura paraprakisht dhe pak hapësirë për diskutime të lira.

Sari Arho Havren nga instituti kërkimor Royal United Services Institute (RUSI), ka shkruar në X se Kina nuk i pëlqen surprizat dhe dëshiron të sigurohet që as Trumpi dhe as Putini të mos ia marrin vëmendjen vendit mikpritës.