Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

FIFA do t'i ndajë dokumente lidhur me propozimin për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës

Fifa

Foto: Associated Press

Dokumentet që lidhen me planin e dështuar të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për t'i shitur aksionet e Kupës së Botës te investitorët privatë do t’u vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit të saj, ka mësuar “BBC” të hënën.
Muajin e kaluar, UEFA i dha kohë organit qeverisës botëror të futbollit deri më 2 nëntor për t'i publikuar detajet rreth propozimit jashtëzakonisht të diskutueshëm të FIFA-s, për t’iu përgjigjur një liste pyetjesh që lidhen me qeverisjen dhe vendimmarrjen e saj.
Kjo pasoi një mbledhje të Këshillit në të cilën Infantino kërkoi falje, por nuk ofroi një shpjegim se si u hartua propozimi, duke kërkuar që pyetjet të dorëzoheshin me shkrim.
Vetëm pak orë para se të skadonte afati nga organi drejtues i futbollit evropian, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, u shkroi anëtarëve të organit të tij kryesor vendimmarrës, duke thënë se ata do të jenë në gjendje të shohin dokumentet në kushte specifike dhe vetëm personalisht në selinë e organizatës në Zurih.
Ai pretendon se kjo bëhet për t'i ruajtur detyrimet e konfidencialitetit, ndërsa anëtarëve të Këshillit u kërkohet ta regjistrojnë interesin e tyre për të parë dokumentet brenda dy javëve të ardhshme.
Nuk është e qartë se cilat dokumente do të vihen në dispozicion.
BBC Sport ka marrë njoftimin se FIFA e konsideron afatin prej dy javësh të UEFA-s për t’iu përgjigjur më shumë se 100 pyetjeve si të parealizueshëm, duke pasur parasysh fokusin e tyre të fundit në organizimin e një Kupe të re Bote për të rinj në Azerbajxhan dhe përgatitjet për një Kongres të jashtëzakonshëm më vonë këtë muaj.
UEFA nuk përcaktoi hapat që synonte të ndërmerrte nëse FIFA nuk e përmbushte afatin, por shpresonte se kjo do të shtonte presionin mbi Infantinon para 18 nëntorit, data e fundit për çdo kandidat për të konfirmuar se do të kandidojë kundër tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.