Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

FIFA konfirmon kandidaturën e Infantinos

infantino

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të kandidojë për rizgjedhje në mars, ka thënë shtëpia botërore e futbollit.

Infantino e mban postin e presidentit të FIFA-s që nga vitit 2016, ndërsa është nën presion të madh pas planit të dështuar për të shituar aksione të garave të FIFA-s te kompani private të investimeve.

Plani i Infantinos shkaktoi protestë globale, ndërsa UEFA kërcënoi të bojkotonte gjitha garat e FIFA-s, përshirë Kupën e Botës.

“Presidenti i FIFA-s njoftoi në prill se do të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2027”, thuhet në deklaratën e FIFA-s të lëshuar të dielën.

“Sigurisht, asgjë nuk ka ndryshuar. Infantino do të kandidojë për rizgjedhje”.

Është hera e parë që FIFA ka thënë se Infantino do të kandidojë për mandatin e katërt, që kur u shfaq skandali pas Kupës së Botës të mbajtur në verë.

Rregullat e FIFA-s përcaktojnë që një president mund të ketë maksimalisht katër mandate.

FIFA e akuzoi këtë javë UEFA-n për “fushatë shpifjeje kundër saj dhe udhëheqjes së saj”. Konfederata Evropiane e Futbollit pritet të bëjë padi për planin e Infantinos.

Javën e kaluar UEFA paraqiti dokumente ligjore në SHBA, duke kërkuar zbulimin e provave dhe dokumenteve nga FIFA dhe duke paralajmëruar se mund të bëjë padi penale në Zvicër.

BBC ka shkruar se në UEFA janë të bindur se mund të gjendet një kandidat për të rivalizuar Infantinon. Kandidati duhet të marrë mbështetjen e të paktën 106 prej 211 federatave nacionale anëtare të FIFA-s.

UEFA tashmë ka hequr dorë nga ideja për votë mosbesimi. Do të duheshin tri të katërtat e anëtarëve, pra 159 vota, për të kaluar mocionin përmes një ndryshimi të statutit të FIFA-s, gjë që konsiderohet e pamundur.

Nuk ka ende ndonjë emër që mund ta rivalizojë Infantinon. Presidenti i CONCACAF, Victor Montagliani, konsiderohet opsion serioz. Nominimet duhet të bëhen deri më 18 nëntor. Një pjesë e federatave evropiane kanë hequr dorë nga përkrahja për kandidaturën e Infantinos. 

Nëse zvicerani 56-vjeçar rizgjidhet, ai do të shërbejë deri në vitin 2031.