Skandaloz është vlerësuar veprimi i dy sportistëve serbë në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në rërë, që prej të premtes deri të dielën është mbajtur në Balikesir të Turqisë.
Marko Makariq dhe Vukashin Rajkoviq kanë refuzuar të garojnë ndaj dyshes së Kosovës, Fatlum Hajrizi – Erion Bajrami. Dueli i ekipit të Kosovës me njërin prej dy ekipeve të Serbisë është dashur të zhvillohet të shtunën. Por që të premten volejbollistët serbë njoftuan se nuk do të paraqiten në terrenin e lojës. Përmes një postimi kanë njoftuar se e bojkotojnë lojën për arsye politike, përkatësisht për faktin se nuk e njohin Kosovën si shtet.
Ishin Rajkoviq e Makariq që kanë bërë një postim në “Instagram” lidhur me tërheqjen nga Kampionati Ballkanik që përfundoi të dielën. Ata e kanë fshirë shpejt postimin, që ndërkohë është publikuar nga mediat në Serbi, por edhe në vendet e tjera të regjionit.
“Për fat të keq ky është fundi i garës për ne, pasi nesër nuk mund të dalim në terren ndaj të ashtuquajturit reprezentacion të Kosovës. Garën e përfundojmë me krenari në vendin e nëntë, pasi për ne Kosova është Serbi”, kanë shkruar dy volejbollistët serbë.
Në profilin zyrtar në Instagram, dy volejbollistët morën përkrahje për veprimin e bërë e që është plotësisht josportiv dhe në kundërshti me të gjitha parimet sportive.
Veprimin e cilësuar skandaloz nga mediat e regjionit, Federata e Volejbollit të Serbisë është munduar ta fshehë. Nuk ka ende ndonjë reagim nga Asociacioni Ballkanik, Evropian apo Botëror për veprimin antisportiv të dyshes serbe. KOHA u ka shkruar të tria këtyre federatave dhe nuk ka marrë ende përgjigje.
“Rajkoviq dhe Makariq kanë hequr dorë për shkak të lëndimit”, ka njoftuar Federata serbe të premten. Të premten kjo dyshe kishte një fitore e një humbje.
“Rajkoviq dhe Makariq, pas bilancit gjysmak të sotëm (një fitore e një humbje), kanë hequr dorë nga garimi i mëtejmë për shkak të lëndimit të lehtë të Vukashin Rajkoviqit”, shkruan në arsyetimin e Federatës serbe. Është kjo një përpjekje për të mbuluar skandalin e kësaj dysheje.
Sajti i njohur slloven, “ekipa.si”, ka pyetur se kur serbët do të mbushen mend dhe nuk do ta përziejnë sportin me politikën.
“Serbët shkaktojnë skandal. Kur do ta lënë ata sportin të lirë dhe të mos e përziejnë me politikë!”, shkruan në titullin e tekstit të publikuar të dielën nga ky medium i madh slloven.
“E dimë se çka ndodh kur politika përzihet me sport. Ne jemi dëshmitarë të përjashtimit thuajse të tërësishëm të sportistëve të Rusisë dhe Bjellorusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Diçka e ngjashme ndodh në Serbi, ku politika dikton se çka sporti mund të bëjë e çka jo. Një skandal ka ndodhur në Kampionatin Ballkanik, që nuk do të duhej të kalonte në heshtje. Ekipi serb e la garën në gjysmë. Pse? Arsye zyrtare është një lëndim i vogël i Rajkoviqit, por mediat serbe kanë informata të tjera për arsyen e tërheqjes. Rajkoviq dhe Makariq janë tërhequr nga gara, pasi është dashur të përballen me dyshen nga Kosova. Është e vërtetë? Ata kanë postuar lajmin në Instagram, por shpejt e kanë fshirë, pasi kanë kuptuar se kanë bërë gabim skandaloz, që mund të jetë subjekt i një hetimi nga Federata ndërkombëtare”, ka shkruar “Ekipa” sllovene. Ky medium ka pyetur nëse veprimi ishte i sportistëve, apo ata janë shtyrë nga dikush që të veprojnë në këtë mënyrë.
Federata e Volejbollit e Kosovës ka lëshuar po ashtu një njoftim të shkurtër për qëndrimin antisportiv të serbëve. Por nuk ka njoftuar të ketë bërë ndonjë reagim për veprimin e thellë antisportiv.
“Në konkurrencën e meshkujve dyshja Fatlum Hajrizi/Erion Bajrami fitoi me rezultat 2:0 në sete, pasi ekipi serb nuk u paraqit në fushë”, shkruan në njoftimin e FVK-së.
Fitorja me rezultat zyrtar ishte e vetmja krahas dy humbjeve për volejbollistët kosovarë. Ndërkohë serbët kanë bërë të ditur sërish se e kanë shumë të vështirë tëapranojnë realitetin – se sportistët kosovarë prezantojnë shtetin e tyre në të gjitha ngjarjet ndërkombëtare. Disa federata ndërkombëtare i sanksionojnë veprimet si ai i volejbollistëve serbë. Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë masë nga asociacionet ndërkombëtare të volejbollit, ku ndikimi i serbëve megjithatë është i madh.