Sport

Në futboll ende pa të arrestuar për kurdisje, por hetime ka

Arbitri Daut Mehmeti dhe trajneri Arbnor Rifati janë arrestuar të premten lidhur me dyshimet për kurdisje në basketboll. Ka dyshime që arbitri prishtinas dhe trajneri prizrenas kanë bashkëvepruar për të kurdisur ndeshje në Superligën e Kosovës, në Ligën Ballkanike dhe në Ligën Unike. Dyshohet se të përfshirë janë edhe trajnerë e gjyqtarë nga vende të tjera. Për një arbitër nga Mali i Zi, aktualisht i suspenduar nga FIBA, ka dyshime të mëdha se është shumë i përfshirë në kurdisje. FIBA e ka përjashtuar përjetë arbitrin Mehmeti, ndërsa lidhur me Rifatin nuk ka ndonjë vendim të saj.

Por kurdisjet në basketbollin kosovar vlerësohet se kanë nisur vetëm pak vjet më parë. Për shumë kohë basketbolli kosovar është shquar për korrektësi. Situata ndryshoi disa vjet më parë, ndërsa besohet se kurdisjet me synim të përfitimit financiar fillimisht nisën në Ligën Ballkanike. Më pas janë bartur edhe në Superligë dhe në Ligën Unike tashmë të shuar. Dyshohet për një rrjet të të përfshirëve, pjesë e të cilit janë edhe Rifati e Mehmeti, por edhe ndonjë person tjetër i basketbollit kosovar.

Në futbollin kosovar dyshimet për kurdisje janë shumë më të vjetra. Dhe nuk ndalen asnjëherë. Vetëm për xhiron e fundit të Superligës ka pasur dyshime shumë të mëdha për kurdisjen e ndeshjeve Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina. Këto ndeshje kishin rrjetë thuajse qesharake. Dhe në fund përfunduan me rezultatin, të cilin të gjithë e pritën. Sidomos veprimi i portierit të Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, që u tentua të largohej për të mos u goditur nga topi, bëri bujë për të keq.

Ka pasur akuza edhe për tentim-kurdisje të një ndeshjeje të futbollisteve, ndërsa pak muaj më parë në Francë është përmendur Llapi për përfshirje në kurdisje. Madje në Francë kishte edhe të arrestuar, por ai rast mbeti disi në heshtje. Në heshtje aktualisht janë edhe rastet e tjera, për të cilat kishte dyshime të mëdha për kurdisje.

Kurdisjet në basketboll janë hetuar për kohë të gjatë, ndërsa veprim konkret kishte vetëm të premten. Në fakt javë më parë FIBA përjashtoi Daut Mehmetin dhe kjo hapi rrugë për zhvillimet e tjera.

Nuk përjashtohet mundësia që të ketë të arrestuar edhe për dyshimet për kurdisje në futboll, që vlerësohet se janë të shumta e thuajse të rregullta, sidomos në pjesën përfundimtare të kampionateve.

“Rastet e pranuara mbi dyshimet për kurdisje të ndeshjeve futbollistike kosovare janë në procedurë hetimore. Andaj për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve nuk mund të japim detaje të tjera”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të dhënë për KOHËN pak javë më parë.

Ka pasur edhe në të kaluarën akuza e hetime për kurdisje, por jo edhe ndonjë masë apo dënim konkret. Shpresat janë rritur se kurdisjet do të goditen fuqishëm pas arrestimit të dy figurave të njohura të basketbollit kosovar.