Prizrenasi Arbnor Rifati është arrestuar të premten si i dyshuar për kurdisje të ndeshjeve të basketbollit. Rifati është gjatë pjesë e basketbollit kosovar dhe emër goxha i njohur. Në vitet e fundit aktiviteti i tij ishte i lidhur me skuadrën Ponte Prizreni. Por, sipas dyshimeve të hetuesisë, jo të gjitha aktivitetet e Arbnor Rifatit ishin legale.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me arbitrin Daut Mehmeti ka kurdisur ndeshje të Superligës së Kosovës në basketboll, të Ligës Unike dhe të Ligës Ballkanike. Edhe Mehmeti është arrestuar dhe të dy janë ndalur për 48 orë. Mehmeti javë më parë u përjashtua përjetë nga basketbolli me vendim të FIBA-s. Ndërkohë për Rifatin nuk ka ndonjë masë nga FIBA.
Në fakt, në rrethe të basketbollit ka shumë kohë që emri i Arbnor Rifatit përmendej në lidhje me dyshimet për kurdisje. Por, deri të premten nuk kishte ndonjë masë ndaj tij. Për më tepër, ai në nëntor të vitit 2021 ishte “graduar” nga Federata e Basketbollit e Kosovës në ndihmës të selektorit të përfaqësueses së Kosovës. Ishte prej trajnerëve në shtabin teknik të tashmë ish-selektorit Christos Marmarinos.
Më 16 nëntor të vitit 2021, FBK-ja kishte publikuar njoftimin për angazhimin e Rifatit në shtabin teknik të Kosovës.
“Rifati ka drejtuar me sukses skuadrën prizrenase në vitet e fundit, derisa së fundi fitoi Superkupën e Kosovës në basketboll. Në edicionin e kaluar drejtoi prizrenasit në vendin e parë në garat e rregullta. Rifati më herët ka qenë gjyqtar në Superligë si dhe menaxher, duke transferuar shumë basketbollistë në Kosovë dhe më gjerë”, shkruante FBK-ja.
Ai ishte pjesë e shtabit teknik në ndeshjet e raundit të parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Kosova ndeshjen e parë e kishte luajtur më 25 nëntor të viti 2021, ndërsa të fundit më 30 qershor të vitit 2022.
Sa i takon Daut Mehmetit, ai për rreth një dekadë ishte prej arbitrave kryesorë në basketbollin kosovar. Ka drejtuar edhe ndeshje evropiane e po ashtu në Ligën Ballkanike dhe në Ligën Unike. Për kurdisje në Ligën Ballkanike u përjashtua nga basketbolli. Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë masë apo dënim nga organet shtetërore të Kosovës për Mehmetin dhe Rifatin.
FBK-ja ka lëshuar një deklaratë të premten. Ka thënë se ofron përkrahje për hetimet dhe se do të luftojë të gjitha dukuritë negative. Nuk ka përmendur faktin që Rifati ishte në shtabin teknik të Kosovës jo shumë kohë më parë.
Arbnor Rifati së fundi ishte drejtor i Ponte Prizrenit. Me vullnet kishte lëshuar detyrën e trajnerit. Nuk është thënë që këtë lëvizje ta ketë bërë për shkak të zhvillimeve të fundit. Hetimet për kurdisje në fakt kanë nisur shumë më parë. Për Mehmetin ka nisur të hetohet më fuqishëm një vit më parë, por dyshime për kurdisje ka pasur edhe më herët. Po ashtu për përfshirjen e dy të arrestuarve të së premtes.