Sport

Klubi i Arbnor Rifatit nuk ndalet, angazhon trajner nga Turqia

Arbnor Rifati vazhdon të jetë në arrest shtëpiak, ndërsa klubi i tij, Ponte Prizreni, vazhdon përgatitjet për edicionin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll. Tashmë është e qartë që Rifati nuk do të kthehet në pozitën e trajnerit.

Ponte Prizrenin në edicionin e ri do ta drejtojë trajneri nga Turqia, Tuncay Bostanci. Klubi prizrenas të enjten e ka prezantuar Bostancin si trajner të ri.

Sipas njoftimit, Bostanci është me prejardhje shqiptare. Familja e tij është nga Përmeti, ka njoftuar klubi prizrenas.

“Bostanci karrierën e ka filluar në vitin 2006, ndërsa deri në vitin 2009 ishte asistent te Ted SK. Nga viti 2009 deri në vitin 2012 ishte përgjegjës dhe koordinator në Bahcesehir. Nga viti 2014 deri në vitin 2018 ishte asistent-trajner te skuadra e famshme turke, Bursaspor. Një periudhë e ka udhëhequr skuadrën bashkë me ish-trajnerin e Pejës, Shemsetin Bash”, ka njoftuar Ponte Prizreni.

Bostanci ishte asistent edhe te skuadra Sigortam e më pas trajner i parë te Harem SK. Së fundi ka drejtuar skuadrën Uskudar, në kategorinë e tretë turke.

Ponte Prizreni tashmë ka angazhuar Ivan Koleviqin, Ryan Hughesin e Edmond Kryeziun ndërsa ka vazhduar me Urim Zenelajn e Qëndrim Ajazajn. Lëvizje të tjera sa i takon lojtarëve priten së shpejti.

Bostanci e zëvendëson Edin Kërveshin, që kishte drejtuar skuadrën në pjesën e dytë të edicionit të kaluar. Kërveshi kishte ardhur në krye të Pontes kur Arbnor Rifati vendosi të heqë dorë nga puna me skuadër. Rifati vazhdon të jetë udhëheqësi kryesor i Ponte Prizrenit.

Javë më parë ai është arrestuar si i dyshuar për kurdisje të ndeshjeve të basketbollit. Ishte arrestuar së bashku me Daut Mehmetin. Pas 48 orëve në mbajtje, Mehmetit dhe Rifatit iu caktua masa e arrestit shtëpiak për një muaj.

Daut Mehmeti është përjashtuar përjetë nga basketbolli me vendim të FIBA-s, për kurdisje të ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Ndërkohë Mehmeti e Rifati janë të dyshimtë për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës, Ligën Unike dhe Ligën Ballkanike. Të dy kanë mohuar akuzat dhe përfshirjen.

Ponte Prizreni siguroi mbetjen në Superligë përmes plejautit. Ka disa vjet që është prej skuadrave të rëndësishme në Superligën e Kosovës në basketboll.

Rifati më herët ishte gjyqtar i basketbollit e po ashtu agjent i lojtarëve. Një kohë ishte edhe në shtabin teknik të përfaqësueses së Kosovës. Është i njohur edhe për sjelljen e lojtarëve cilësorë, sidomos nga SHBA-ja.