Ponte Prizreni po vazhdon punën për kompletimin e skuadrës për edicionin 2023/2024 në Superligën e Kosovës në basketboll. Klubi prizrenas ka njoftuar në fundjavë për angazhimin e fundorit Ivan Koleviq, që kthehet në Kosovë për të disatën herë.
Kështu, duket që arrestimi i javës së kaluar i udhëheqësit të Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, nuk ka ndikuar shumë në planet e skuadrës. Rifati u arrestua si i dyshuar për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës, Ligën Unike dhe Ligën Ballkanike. Ai qëndroi në mbajtje për 48 orë, ndërsa nga e diela e kaluar është në arrest shtëpiak. Masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë i është caktuar edhe arbitrit të basketbollit, Daut Mehmeti. Mehmeti madje më herët ishte përjashtuar përjetë nga basketbolli me vendim të FIBA-s. Ndaj Rifatit, FIBA nuk ka marrë ndonjë vendim.
Prej se Ponte Prizreni është bërë klub me ndikim në basketbollin kosovar, Arbnor Rifati ishte njeriu kryesor i tij. Ai për kohë të gjatë ishte trajner, ndërsa është kujdesur edhe për punët e tjera rreth skuadrës, sidomos për angazhimin e lojtarëve. Në muajt e fundit të edicionit të kaluar kishte lënë postin e trajnerit dhe mbajti postin e drejtuesit të klubit.
Ponte Prizreni vetëm përmes plejautit siguroi mbetjen në Superligë. Ka njoftuar për kthimin e Edmond Kryeziut, ndërsa ka angazhuar edhe amerikanin Ryan Hughes.
Ndërkohë angazhoi edhe fundorin me përvojë, malazezin Ivan Koleviq. Ai për herë të tretë do të luajë për Ponten. Për më tepër, ka luajtur edhe për Trepçën, Rahovecin e Pejën. Por asnjëherë nuk ka qëndruar deri në fund të kontratës.
“Njëri nga fundorit më të mirë që ka zbarkuar në Kosovë, Ivan Koleviq, nga sot zyrtarisht është pjesë e KB Ponte Prizrenit. Koleviq e Ryan Hughes janë dy përforcimet e huaja, ndërsa në ditët në vijim do të kemi edhe prezantime të reja si dhe një bombë na pret”, ka shkruar Ponte Prizreni, duke paralajmëruar formimin e një skuadre garuese.
Arbnor Rifati është prej figurave të njohura në basketbollin kosovar. Një kohë ishte arbitër i basketbollit e po ashtu agjent i lojtarëve. Ka kaluar periudhë edhe si trajner në shtabin teknik të përfaqësueses së Kosovës. E ardhmja e Rifatit në basketboll, por rrjedhimisht edhe e Ponte Prizrenit, do të varet nga zhvillimet në rastin e hapur ndaj tij. Nuk është bërë e ditur se për cilat ndeshje Arbnor Rifati është i dyshuar për kurdisje, pos që janë përmendur ndeshje në Superligë, Ligën Unike dhe Ligën Ballkanike. Dyshohet që ai ka bashkëpunuar me arbitrin Mehmeti.
Daut Mehmeti ishte përjashtuar nga FIBA për kurdisje të ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Të dyshimta për kurdisje ishin edhe ndeshje të Rahovecit dhe Sigal Prishtinës në Ligën Ballkanike.
Ka disa vjet që dyshimet për kurdisje në basketboll janë të mëdha. Por për herë të parë ka pasur veprime konkrete për dënimin e të dyshuarve për përfshirje.