Nuk ka pasur kohë për festë në përfaqësuesen e Kosovës në futboll (femrat), të dielën. Në Ditën e Flamurit, futbollistet e Kosovës kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe kanë vazhduar përgatitjet për ndeshjen e ardhshme. Bëhet fjalë për një ndeshje të veçantë dhe emocionale njëkohësisht.
Të martën prej orës 16:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përballen Kosova e Shqipëria. Pra dy ditë pas festës, futbollistet shqiptare të Kosovës e Shqipërisë dalin në fushë për t’u përballur mes vete. Nuk është lojë që të gjithë e duan, por shorti ka vendosur që dy përfaqësueset shqiptare të jenë në një grup dhe tani të dyja kërkojnë fitoren.

“Kur luaj me vëllezërit e mi unë kam dëshirë të fitojë. Madje kam dëshirë të fitojë më shumë se kur luaj me dikë tjetër”, thotë Erëleta Memeti, ylli i Kosovës, teksa flet për ndeshjen mes shqiptareve. Ajo lë të kuptohet se dëshira për sukses në ndeshjen ndaj Shqipërisë është e madhe. Lojtarja ofensive është pjesë e Freiburgut në Bundesligën gjermane. Aktualisht është e vetmja lojtare e Kosovës që luan në nivel të lartë evropian. Bundesliga është prej ligave më të vlerësuara.
Shqipëria e Kosova janë përballur edhe më 16 shtator, në hapje të eliminatoreve për Botërorin 2023. Ndeshja në Elbasan kishte përfunduar 1:1.
Cilësia e dy përfaqësueseve shqiptare është thuajse e barabartë. Të dyja i kanë nga katër pikë në grupin F të kualifikimeve evropiane. Kosova renditet e katërta e Shqipëria e pesta, për shkak të goldallimit më të mirë.
Kosova ka fituar 1:0 në udhëtim ndaj Armenisë, ndërsa përfaqësuesen e njëjtë Shqipëria e “rrahu” 5:0 në shtëpi.
Tri ditë më parë, Kosova humbi 2:1 në Prishtinë nga Polonia. Ndërkohë, Shqipëria në Tiranë pësoi 7:0 nga Norvegjia. Belgjika e shkatërroi Armeninë, 19:0.
“Kemi luajtur lojë të mirë. Kemi pasur disa shanse për gol, që na kushtuan. Unë e kam lëshuar një mundësi të mirë në minutën e 80-të. Mendoj se rezultati nuk ishte i drejtë. Por, me rëndësi është që luftuam deri në fund”, ka vlerësuar Memeti. Ajo ka folur edhe për ndeshjen e kaluar me Shqipërinë, që nuk ishte e para zyrtare mes shqiptareve.
“Edhe rezultati 1:1 ndaj Shqipërisë nuk ishte i drejtë. Mendoj se kemi merituar më shumë në bazë të asaj që kemi shfaqur”.
22-vjeçarja Memeti ka një gol në 14 paraqitje për Kosovën. Ndërkohë, këtë edicion në Bundesligë ka shënuar dy gola për Freiburgun. Së fundi realizoi para një jave, një gol të bukur.
“Jam e kënaqur me formën që po e kaloj, si te Kosova ashtu edhe në Bundesligë. Por mund të them se golat po më mungojnë. Si lojtare e sulmit më duhet të shënoj më shumë gola. Po punoj për të realizuar më shumë, për të qenë më efikase para portës. Në Bundesligë i kam dy gola, por nuk kemi pasur shumë ndeshje. Formën e kam të mirë, por besoj që duhet të shënoj më shumë. Unë në çdo ndeshje futem për të shënuar gol”, ka theksuar Memeti.
Së fundi Kosovës i është bashkuar edhe një lojtare e Bundesligës, Gentiana Fetaj. Ajo ka luajtur më herët për të rejat e Gjermanisë, ndërsa është në pritje të kompletimit të dokumentacionit për të luajtur për “Dardanet”. Fetaj aktualisht është e grumbulluar me Kosovën.
“Edhe Gentiana luan në sulm dhe është lojtare e mirë. Ajo e ka një stil që aktualisht nuk e kemi te Kosova. Kur të fillojë të luaj do të jetë shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë zëvendës-kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti.
Grupi i Kosovës vlerësohet shumë i vështirë. Norvegjia, Polonia e Belgjika aktualisht po del se janë të papërballueshme për lojtaret e Kosovës. Kështu që me shumë mundësi Kosova e Shqipëria do të jenë në garë për pozitën e katërt në grup. Shumë do të varet prej ndeshjes që luhet të martën.
“Nuk është ndeshje e zakonshme. Ishte më ndryshe, më emocionale edhe ndeshja e kaluar në Shqipëri dhe njëjtë do të jetë edhe të martën në Prishtinë. Kosova e Shqipëria janë një. Por kur dalim në fushë do të luajmë për fitore si ne, ashtu edhe lojtaret e Shqipërisë”, ka theksuar Erëleta Memeti.