Të veçantë dhe emocionale e ka cilësuar Afërdita Fazlija ndeshjen mes futbollisteve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Por përzgjedhësja e “Dardaneve” ndaj Shqipërisë pret fitore.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të martën, prej orës 16:00, Kosova do të përballet me Shqipërinë, në ndeshjen e radhës mes dy përfaqësueseve shqiptare.
Fazlija thotë se nuk është lojë që të gjithë e duan, por pret nga futbollistet e saj maksimumin për të fituar takimin kualifikues për Botërorin e vitit 2023.
“Jemi dy ekipe të barabarta. Ndeshja e parë ka qenë ndoshta pak me ngarkesë, megjithatë, përkundër asaj që Shqipëria është renditur diku 40 vende më lart dhe në shortin e fundit ishte një vazo më lart, ne mendojmë që jemi të barabartë. Në disa pika unë shoh që Kosova ka ecur më para. Gjithsesi do të jetë lojë e vështirë, pasi te Shqipëria ka një numër të madh të lojtareve nga Kosova që i di cilësitë e tyre. Megjithatë, nuk besoj që do të përsëritet loja në Shqipëri me barazim, por shpresoj që anët e forta që i kemi nesër t’i paraqesim në fushë dhe shpresoj që do ta marrim një rezultat pozitiv. Shqipëria ka një përvojë më të gjatë. Ne nesër do të hyjmë në fushë vetëm për fitore”, ka thënë Fazlija.
Ndeshja e parë e këtij cikli mes dy përfaqësueseve shqiptare, e zhvilluar më 16 shtator në Elbasan, kishte përfunduar 1:1.
Fazlija pret paraqitje më të mirë se në ndeshjen e parë.
“Edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë brenda pak ditësh mendoj se do të jetë e vështirë. Edhe Shqipëria vjen nga një përballje e vështirë e po ashtu edhe ne kundër Polonisë, që është e papërshtatshme. Edhe pse humbëm 2:1 mendoj se dhamë maksimumin. Në bazë të asaj unë e shoh Kosovën në përparësi të lehtë sa i përket motivimit”.
Përzgjedhësja e Kosovës ka shtuar se cilësia e dy përfaqësueseve është thuajse e barabartë.
“Kam biseduar me vajzat nga përfundimi i ndeshjes me Poloninë dhe jemi munduar maksimalisht që pjesën emocionale dhe respektin e jashtëzakonshëm që e kemi për Shqipërinë dhe kombëtaren të mbetet dhe asnjëherë të mos luhaten raportet e të dyja shteteve. Por brenda fushës vajzat e kanë marrë mesazhin drejt dhe do të luftojmë deri në fund që tri pikët të mbesin në Kosovë”, ka thënë përzgjedhësja Fazlija.
Katër ditë më parë Kosova humbi 2:1 në Prishtinë nga Polonia, kurse Shqipëria në Tiranë pësoi 7:0 nga Norvegjia. Të dyja i kanë nga katër pikë në grupin F të kualifikimeve evropiane. Kosova renditet e katërta e Shqipëria e pesta, për shkak të goldallimit më të mirë.
“Do ta japim maksimumin në fushë për të marrë pikët maksimale. Ne e njohim Shqipërinë pasi kemi zhvilluar ndeshje në shtator dhe besoj se me angazhim maksimal, pa emocione, do të dalim fitimtare, edhe pse është ndeshje me plot emocion”, është shprehur mesfushorja e Kosovës, Donjeta Halilaj.
E bindur në fitore është edhe portierja Florentina Kolgeci. Ajo pret që fati të jetë në anën e Kosovës.
“Realisht edhe ndaj Polonisë treguam që kemi kapacitet dhe do të mundohemi që pikët e plota të mbesin në Prishtinë. Shpresoj të kemi fat dhe me angazhim të dalim me fitore”, ka thënë Kolgeci.
Para stërvitjes të cilën Kosova e zhvilloi të hënën, seancën e fundit përgatitore për ndeshje e mbajti edhe Shqipëria.
Te Shqipëria ka shumë futbolliste nga Kosova, ndërsa së fundi në shtabin teknik si ndihmëstrajnere është bashkuar Suada Jashari.