Sport

Fazlija thotë se Kosova nuk meritoi humbjen, kritikon “Dardanët”

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija ka insistuar se Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat) nuk e ka merituar aspak humbjen ndaj Polonisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

Kosova pësoi humbje minimale 2:1 në Prishtinë nga Polonia në ndeshjen e Grupit F, përkundër që avancoi qysh në minutën e katërt me Liridona Sylën. Përzgjedhësja Fazlija ka thënë se rezultati real i këtij takimi, do të kishte qenë barazimi.

“Realisht, e kemi ditur se do të jetë një ndeshje e vështirë. Jemi munduar maksimalisht të përgatitemi pasi kishim shumë pak kohë, vetëm një stërvitje zyrtare. E kemi ditur forcën e Polonisë, kemi marrë masat, por është problem të gjitha të zbatohen. Kam pritur lojë të vështirë, por e kemi dhënë maksimumin siç kemi premtuar. Po ashtu në fund e patëm një rast të mirë. Bazuar në angazhimit që e patëm dhe golin e dytë aksidental që e pranuam, epilogu real i këtij takimi do të ishte barazimi”, është shprehur Fazlija që po ashtu ka pasur një kritikë për tifozët “Dardanët”.

“Mungesa e ‘Dardanëve’ është një prej pikave më të dobëta, sepse po t’i kishim ata në tribuna do të ishim më të mirë. Ne do ta japim maksimumin si me publikë ashtu edhe pa publikë, por më ka mbetur peng që nuk patëm më shumë tifozë të pranishëm në tribuna”, shtoi ajo.

Për Kosovën, kjo ishte humbja e tretë ne pesë ndeshje të luajtura në kuadër të këtyre eliminatoreve. Zë vendin e pestë në tabelë me katër pikë të mbledhura. Ndeshjen e radhës, Kosova e luan javën e ardhshme kundër Shqipërisë, po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.