Futbollistet e Përfaqësueses së Kosovës të mërkurën e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes me Poloninë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Te Kosova e vlerësojnë lart Poloninë, por thonë se nuk ia kanë frikën. Ndeshja në mes të Kosovës dhe Polonisë zhvillohet të enjten nga ora 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Përzgjedhësja e “Dardaneve”, Afërdita Fazlija, pret nga futbollistet e saj që të japin maksimumin për të dalë në fund të takimit me rezultat pozitiv.
“Nuk është se nuk jemi në një grup të fortë. Edhe Polonia i bashkëngjitet Norvegjisë dhe Belgjikës. Megjithatë, ne jemi munduar ta analizojmë ekipin kundërshtar dhe nuk do të thotë se ne nuk do të japim maksimumin edhe pse Polonia shihet si favorit në letër. Nuk do të jetë e lehtë dhe nuk është kundërshtar që nuk e njohim. Megjithatë, unë shpresoj që nëse nesër do të mund t’i pasqyrojmë të gjitha vlerat që i kemi shpresoj në rezultat pozitiv”, ka thënë të mërkurën Fazlija në konferencën për media.
Kosova do të jetë me mungesa në ndeshjen ndaj polakeve. Ndër mungesat më të rëndësishme është ajo e Modesta Ukës, por Fazlija pret që edhe futbollistet e tjera t’i bëjnë ballë Polonisë. Ajo pranon se Polonia është favorite përballë Kosovës.
Edhe dy futbollistet, Edona Kryeziu dhe Erëleta Memeti, thonë se polaket janë favorite, por shpresojnë në pikët maksimale.
“Polonia ka një kombëtare të fortë dhe ne jemi mundura që gabimet e bëra t’i përmirësojmë për ndeshjet e ardhshme. Polonia është ekip i mirë, por ne nuk do të dorëzohemi dhe synojmë pikët maksimale në lojë”, ka deklaruar Kryeziu.
Edhe
Futbollistet e Kosovës kërkojnë fitore sot ndaj Polonisë
Kosova ka luajtur një herë me Poloninë dhe ka pësuar disfatë 5:0 në vitin 2017. Por, që nga ajo kohë, Kosova është rritur si përfaqësuese.
“E njohim Poloninë dhe ne jemi rritur si kombëtare. Kemi luajtur lojë së bashku dhe nuk kemi frikë, por kemi respekt”, ka thënë Memeti.
Kosova në Prishtinë më 30 nëntor e pret edhe Shqipërinë në kuadër të Grupit F. Në katër ndeshje të zhvilluara ka arritur një fitore dhe një barazim. Pikë të njëjta ka edhe Shqipëria, ndërsa lidere është Norvegjia me dhjetë pikë. Polonia në vendin e dytë me dy pikë më pak. Belgjika zë vendin e tretë me shtatë pikë, kurse Armenia e fundit pa pikë.