Të martën, për herë të tretë, është publikuar lista e përfituesve në fushën e sportit nga Pakoja e ringjalljes ekonomike. Ka ndryshime në listë, që sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përfundimtare.
Lista e përfituesve fillimisht ishte publikuar më 12 nëntor. Pas ankesave të shumta projektet kishin shkuar në rivlerësim, ndërsa një listë preliminare e rivlerësimit ishte publikuar më 23 nëntor. Dhe të martën radha ishte për publikim të listës përfundimtare, pas rivlerësimit të projekteve.
Ka ndryshime në listën përfundimtare nga ajo preliminare, njëjtë si nga lista e parë e publikuar më 12 nëntor.
Pas dy publikimeve të para kishte pasur pakënaqësi, ndërsa hap tutje bëri klubi i volejbollisteve Drita nga Gjilani. Drita një javë më parë mbajti protestë para MKRS-së, e pakënaqur që mbështetja i ishte zvogëluar dukshëm pas rivlerësimit. Dhe duket se protesta e ka pasur efektin e saj. Të paktën mbështetja për klubin gjilanas është rritur.
Fillimisht Dritës i ishin ndarë 23 mijë euro për projektin “Pjesëmarrja në gara evropiane në Turqi”. Pas rivlerësimit, Dritës iu ndanë 11 mijë euro. Pasoi reagimi publik dhe protesta para MKRS-së. Dhe kështu përkrahja është rritur. Ka ndryshuar edhe emri i projektit të KVF Drita. Nuk është më “Pjesëmarrja në gara evropiane në Turqi”, por “Zhvillimi i sportit elitar garues dhe arritja e rezultateve sportive vendore dhe ndërkombëtare”. Nuk janë dhënë sqarime se si ka ndryshuar emri i projektit. Por projekti i KVF Drita është përkrahur me 13 mijë euro.
Te KVF Drita vazhdojnë të jenë të pakënaqur.
“Është shumë keq për klubin tonë që MKRS-ja vepron në këtë mënyrë dhe e përfundon pakon emergjente duke ndarë 13 mijë euro për ne. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari atë që na takon. Do të vazhdojmë deri të arrijmë qëllimet tona. 10 mijë euro më pak për Dritën nga ndarja e parë, nuk e di çfarë komisioni, çfarë vendimi. Kjo është turp, turp dhe vetëm turp”, thotë Lorik Ilazi, trajneri i volejbollisteve të Dritës.
Tre mijë euro të tjera janë ndarë për “Akademinë e Volejbollit Drita”. “Inkuadrimi i ekspertëve të jashtëm në projekte me fokus zhvillimin e trajnerëve dhe informimin e lojtareve me rregullat e lojës së volejbollit” quhet projekti i saj.
Ka plot ndryshime në listë, krahasuar me publikimin preliminar.
Një tjetër klub që kishte paralajmëruar protestë, ai i hendbollit të femrave Vushtrria, është përkrahur me dy projekte, si herën e kaluar. Vushtrria kishte paralajmëruar protestë, por nuk e kishte realizuar atë. Për projektin “Pjesëmarrja në garat ndërkombëtare”, KHF Vushtrria vazhdon të përkrahet me 1,160 euro. Projekti i dytë i të njëjtit klub “Fuqizimi dhe rritja e pjesëmarrjes në hendbollin e femrave” është mbështetur me 3,500 euro. Projekti është paraqitur të jetë i klubit të hendbollit të femrave Vushtrria.
Në listën e përfituesve është kthyer Sigal Prishtina, që pas rishikimit nuk figuronte në listë. Këtij klubi të basketbollit i takojnë 10 mijë euro.
Klubit të futsallit Liqeni përkrahja i është rritur në 41 mijë euro. Afro 31 mijë euro ishte përkrahja për Liqenin, sipas publikimit preliminar. Ka edhe plot ndryshime të tjera në listën përfundimtare.
Sërish ka pasur reagime nëpërmjet komenteve në faqen zyrtare të MKRS-së në Facebook.
“Kujtojmë se rivlerësimi i projekt-propozimeve të OJQ-ve në fushën e sportit është bërë për shkak të identifikimit të parregullsive procedurale gjatë vlerësimit të parë. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha aplikimet që kanë plotësuar kushtet në aspektin administrativ (dokumentacioni i rregullt), duke përjashtuar këtu federatat sportive, për të cilat MKRS ka të rregulluar financimin në bazë të Ligjit për Sport. Përfituesit janë vlerësuar sipas kritereve të përcaktuara, duke konsideruar përmbushjen e objektivave të thirrjes publike, aspektin përmbajtjesor të projekteve, planifikimin profesional të buxhetit financiar dhe kapacitetet për zbatueshmërinë e projektit, ndërsa suksesi sportiv i klubeve apo historiku i tyre me titujt e fituar nuk kanë qenë kriteret bazë për vlerësim”, shkruan ndër të tjera në njoftimin e MKRS-së.