Vazhdon të ketë pakënaqësi për mënyrën se si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë paratë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga fusha e sportit. MKRS-ja fillimisht njoftoi për ndarjen e 1,9 milionë eurove në emër të ringjalljes ekonomike për federata, klube e organizata joqeveritare. Por, pas reagimeve të shumta, projekt-propozimet e klubeve dhe organizatave joqeveritare shkuan në rivlerësim. Për federatat sportive të vendit nuk kishte rivlerësim.
Në fillim të javës është publikuar lista preliminare e projekt-propozimeve përfituese në fushën e sportit nga pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Dhe pakënaqësi të tjera janë shfaqur. Ka pasur komente publike që kanë akuzuar zyrtarë të MKRS-së për favorizim për klube të caktuara.
Ndërkohë, një klub i suksesshëm ka shkuar një hap tutje. Bëhet fjalë për klubin gjilanas të volejbollisteve, Drita. Drita ka paralajmëruar protestë para Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Protesta, sipas një njoftimi të Dritës, do të mbahet të martën prej orës 11:00. Do të protestohet për 18 minuta, me shpalosjen e 18 panove. 18 është numri i trofeve që Drita thotë se i ka në dekadën e fundit.
Në të vërtetë, rivlerësimi i projekteve ka bërë që përkrahja për një pjesë të konsiderueshme të klubeve të zvogëlohet. Disa klube janë larguar tërësisht nga lista e përfituesve e disa të tjera kanë hyrë në listë vetëm pas rivlerësimit. Zvogëlimi i shumës për disa klube ka ngjallur pakënaqësi. Dritës, ndër të tjera, i është zvogëluar shuma e përkrahjes.
Në bazë të vendimit të 12 nëntorit, Dritës i kanë takuar 23 mijë euro për projektin “Pjesëmarrja në gara evropiane në Turqi”. Pas rishikimit të projekteve, Dritës i janë ndarë 11 mijë euro. Pra, 12 mijë euro më pak. Lista pas rivlerësimit është publikuar më 22 nëntor.
“Drita nga pakoja e Rimëkëmbjes do të ndihmohet me shumë qesharake, në raport me ndihmën e ndarë për klube e OJQ tjera, që nuk i përafrohen aktivitetit dhe rezultateve tona. Ky krahasim dhe kjo pabarazi është nënçmuese dhe e papranueshme. Ne si klub nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë shumën e zvogëluar. Është shumë nënçmuese për ne si klub, e akoma më poshtëruese ndaj nesh e bën fakti kur ne e kuptojmë se ajo është zvogëluar duke dashur që me pjesën tonë të bëhet nder me të tjerët”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Komuniteti i volejbollit është prej më të pakënaqurve me mënyrën se si komisionet e MKRS-së kanë ndarë buxhetin. Federatës së Volejbollit të Kosovës i janë ndarë 18 mijë euro. Ka plot klube që kanë përfituar më shumë. Një organizatë ka përfituar mbi 120 mijë euro.
“Unë besoj që MKRS-ja dhe ata që e kanë bërë vlerësimin e kanë të qartë se FVK-ja është dëmtuar me këtë pako. Presim reflektim prej anës së tyre”, ka thënë Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i FVK-së.