Sport

Pëson ndryshime të mëdha lista e përfituesve nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

Klubi i basketbollisteve Prishtina është dashur të përfitojë 35 mijë euro nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Do të përfitojë shumë më pak, 15 mijë e 500 euro.

Është ky një prej shumë ndryshimeve pas rivlerësimit që ka bërë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për aplikacionet e dorëzuara për të përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike në fushën e sportit.

Kishte pasur shumë ankesa pasi MKRS-ja më 12 nëntor shpalli listën e234 përfituesve nga fusha e sportit. Ishin ndarë 1,9 milionë në emër të ringjalljes ekonomike. Derisa përkrahja për federatat sportive nga kjo pako mbeti e pandryshuar, ka shumë ndryshime në listën e përfituesve, sa u takon skuadrave sportive dhe organizatave joqeveritare.

Për skuadrën e basketbollit të vajzave Prishtina kishte pasur shumë ankesa. Kryetari i komisionit për vlerësim, Fidan Shatri, është trajner i kësaj skuadre. Dhe komisioni, që drejtonte Shatri, kishte vendosur që Prishtinën ta përkrahë me 34 mijë e 990 euro. Ndërkohë, shumica e klubeve tjera sportive ishin përkrahur me nga 3000 euro. Pra, Prishtinës i ishin ndarë gati 12 herë më shumë se shumicës së skuadrave.

Shatri nuk u përfshi në komisionin për rivlerësim, ndërsa Prishtinës tani i takojnë 15 mijë e 500 euro. Prishtina ka dorëzuar projektin “Organizimi i ndeshjeve në Ligën Unike, pjesëmarrja në Ligën Unike, organizimi i ndeshjeve në kampionatin e Kosovës, zhvillimi i gjeneratave të reja”.

Në listën e re, të publikuar të martën, janë përfshirë 163 përfitues. Ka përfitues të ri, ndërsa disa klube sportive e organizata janë larguar. Për shembull, nuk figuron emri i klubit të basketbollit Sigal Prishtina. Sigali, sipas vendimit të parë, është dashur të përfitojë 25 mijë euro.

Shumë ankesa ishin bërë edhe për projektin “Data baza e sportit në Kosovë” të organizatës “Center for Health Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë”. Sipas vendimit të parë, kjo organizatë, për të cilën dihet fare pak, është dashur të përfitojë 134 mijë e 740 euro. Edhe me vendimin e ri, të publikuar të martën, kjo organizatë dhe ky projekt do të përkrahen fuqishëm. 121 mijë e 430 euro i janë ndarë organizatës në fjalë për projektin “Data baza e sportit në Kosovë”.

50 mijë euro në vendimin e parë i ishin ndarë organizatës “Pl4y International” për projektin “Kosovo Players”. Pas rivlerësimit, ky projekt e kjo organizatë mbështeten me 16 mijë e 617 euro.

Ka plot ndryshime të tjera në listë, zvogëlim të përkrahjes e rritjes së saj. Për shembull, klubi i futbollit Mitrovica (femrat) do të përkrahet me 9900 euro e jo me 21 mijë e 500 euro, si parashihte vendimi i parë. Klubit të futbollit Drenica fillimisht i ishin ndarë 25 mijë euro, ndërsa tani i takojnë 5000 euro.

Klubit Bashkimi (basketboll) nga 20 mijë euro përkrahja i është zvogëluar në 11 mijë e 279 euro. Klubit të volejbollisteve Drita i takojnë 11 mijë euro, në vend të 23 mijë eurove.

Shifra prej 3000 eurove, që ishte për shumicën e skuadrave, është ndryshuar gati tërësisht. Por edhe në listën e re ka paqartësi. Për shembull, shkolla e basketbollit AS Prishtina për projektin “Zhvillimi i aktiviteteve sportive dhe avancimi elitar në lojën e basketbollit”, është mbështetur me 3520 euro. Dhe klubi As Prishtina, me projektin me emrin plotësisht të njëjtë, është mbështetur me 3000 euro. Dihet që shkollat e basketbollit funksionojnë në kuadër të klubeve, por për Asin janë ndarë para për projektin e njëjtë, që është dorëzuar në emër të klubit dhe në emër të shkollës. As Prishtina është klub i kategorisë së dytë.

Përfitues i madh nga ky fond mbetet klubi i futsallit, Liqeni, që përkrahet me 30 mijë euro. Liqeni garoi në Ligën e Kampionëve.

25 mijë euro i takojnë edhe klubit skitar Prishtina, ndërsa klubi i notit STEP përfiton plot 18 mijë e 600 euro. Edhe në komunitetin e notit, përkatësisht te një pjesë e tij, ka pasur pakënaqësi të mëdha.

Klubit të xhudos, Ippon, i janë ndarë 26 mijë e 610 euro, ndërsa klubit të veteranëve të futbollit nga Prizreni gati 7000 euro. Një organizate nga Dragashi i janë ndarë 21 mijë e 460 euro, kurse një organizate tjetër 14 mijë e 300 euro për “Identifikimin dhe seleksionimin e nxënësve me talent në sport”.

“Përfituesit janë përzgjedhur nga Komisioni Vlerësues i MKRS-së bazuar në përputhshmërinë e projekt-propozimeve me objektivat e thirrjes publike dhe kriteret e përgjithshme profesionale të projekt-propozimeve të pranuara”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.