Sport

Databazë nga Fondi i ringjalljes ekonomike, MKRS-ja arsyeton ndarjen e 121 mijë eurove për një organizatë

Plot 121 mijë e 430 euro i janë ndarë organizatës “Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo organizatë, për të cilën nuk dihet shumë, ka përfituar këtë shifër të lartë nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për fushën e sportit. Nga Fondi i ringjalljes ekonomike, organizata “Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë” është përkrahur për projektin “Databaza e sportit në Kosovë – DSK”.

Fillimisht MKRS-ja, përkatësisht Komisioni vlerësues i kësaj ministrie i kishte ndarë shumë edhe më të madhe, 134 mijë e 740 euro. Por pas ankesave të shumta, MKRS-ja vendosi që aplikacionet të riktheheshin në rivlerësim, pasi ishin vërtetuar lëshime procedurale. Pas rivlerësimit, organizatës që zyrtarisht është nga Mitrovica i janë ndarë 121 mijë e 430 euro.

“Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë” ka përfituar dukshëm më tepër se organizatat e tjera, aplikacionet e të cilave shkuan në rivlerësim. Nga rivlerësimi ishin përjashtuar vetëm federatat sportive, ndërsa projektet e klubeve dhe organizatave të tjera joqeveritare u rivlerësuan nga një komision i ri.

Në listën e përfituesve të publikuar më 22 nëntor, projekti i dytë më i përkrahur është ai i klubit të futsallit Liqeni, që luajti në dy faza të Ligës së Kampionëve dhe së fundi kishte një qëndrim në Ukrainë.

Liqenit për projektin “UEFA Futsal Champions League – Kosovo 2022” i janë ndarë 30 mijë e 720 euro. Katër herë më shumë janë ndarë për projektin “Databaza e sportit në Kosovë – DSK”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka arsyetuar plotësisht ndarjen e 121 mijë eurove për këtë organizatë. Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, MKRS-ja ka thënë se projekti i “Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë” është në përputhje me objektivin 1.4 të thirrjes publike për mbështetje nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

“Zhvillimi i hulumtimit dhe dokumentimit në fushën e sportit”, shkruan në pikën 1.4.

Tutje MKRS-ja ka shkruar se gjendja e bazës së të dhënave është shqetësuese sa u takon organizatave sportive. Por nuk ka cekur se kush e ka përgjegjësinë që gjendja është shqetësuese. Dhe, po ashtu, nuk ka dhënë informata se pse është lejuar që gjendja të “degradojë” deri në “shqetësuese”.

“Në bazë të vlerësimeve fillestare, gjendja e bazës së të dhënave në të gjithë zinxhirin organizativ të organizatave sportive të licencuara për të ushtruar këtë veprimtari është shqetësuese. Mungojnë statistikat dhe të dhënat që mundësojnë për të zhvilluar çfarëdo strukture të planifikimit strategjik. Preventojnë dokumentimin e gjendjes aktuale, parandalojnë konstatimin e saktë të parametrave zhvillimorë dhe kështu politika publike rezulton të jetë e paefektshme në mënyrë të mjaftueshme, duke mos arritur as vlerat e kërkuara për kostot e shpenzuara nga resurset publike. MKRS-ja e ka urgjente të rindërtojë strukturën e politikës publike sportive, duke mirëshfrytëzuar të dhëna dhe baza dokumentare nga vetë institucionet publike, arsimore e shkencore, organizatat sportive dhe organizatat joqeveritare që arrijnë progres në komponentën e hulumtimeve. Mbi bazën e kësaj gjendjeje është vendosur objektiva 1.4”, shkruan në përgjigjen e gjatë të MKRS-së.

Mbi 60 persona pritet të jenë pjesë e projektit që mbështetet me mbi 120 mijë euro nga buxheti i shtetit. Dhe projekti për databazë është vlerësuar serioz nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht komisioni i saj.

“’OJQ Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë’ ka aplikuar me projektin me titull ‘Data Baza e Sportit në Kosovë’ i cili nga Komisioni vlerësues është cilësuar projekt serioz, marrë parasysh shtrirjen demografike të implementimit të projektit (në gjithë territorin e Kosovës). Përveç shtrirjes, projekti është ndërsektorial dhe shtrihet në disa nivele të zhvillimit të programeve hulumtuese, si klube, shkolla, shkolla sportive, institucione qendrore dhe lokale, si dhe organizata të tjera sportive. OJQ ka prezantuar një shpjegim dhe strukturë të gjerë të aktiviteteve me pjesëmarrje të një numri të madh të personave që do të përfshihen në këtë projekt, gjithsej 63, dhe një ekspert i huaj. Projekti në fjalë do të fokusohet në fushat: zhvillimi i hulumtimit dhe dokumentimi i gjendjes bazuar në indikatorë të matshëm dhe të besueshëm në fushën e sportit, që është në përputhje të plotë me objektivat e thirrjes”.

MKRS-ja është e bindur se projekti do të zbatohet ashtu si parashikohet. Madje organizata përfituese ka kërkuar 149 mijë e 840 euro në kufi të së lejuarës. Shuma maksimale e mbështetjes financiare ishte 150 mijë euro, ndërsa kjo shumë i është ndarë vetëm Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është grumbullimi i të dhënave për gjendjen faktike të sportit në Republikën e Kosovës, duke nxitur arritjen e një rezultati krejtësisht të matshëm përveçse të domosdoshëm, data-bazën e sportit të Kosovës, e cila konsiderohet e domosdoshme në zhvillimin e politikës publike në sport. Projekti i lartshënuar ka dokumentacion voluminoz, me kapacitete profesionale të dëshmuara në fushën e edukimit fizik, çka e bën plotësisht të besueshëm implementimin e tij”, shkruan në përgjigjen e MKRS-së.

Pas rivlerësimit, disa klube e organizata nuk janë përkrahur. Shumicës u është ndërruar shuma me të cilën janë përkrahur, ndërsa janë shtuar klube e organizata të reja. Por prapë ka pasur pakënaqësi, që janë shprehur edhe përmes komenteve në profilin zyrtar të MKRS-së në Facebook.