Sport

Projekti prej 121 mijë eurosh “që MKRS-ja nuk e ka shqyrtuar e pranuar përmes komisionit”

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë vërejtje të shumta lidhur me ligjin për sponsorizime në sport dhe procesin e sponsorizimit. Po ashtu ka cekur që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit financon organizatat sportive pa thirrje publike, vetëm me kërkesa drejtuar ministrisë. Kjo formë, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, nuk është e paraparë në ligje dhe rregullore.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të prezantuar të mërkurën në një konferencë për shtyp, është paraqitur vetëm një rast specifik. Bëhet fjalë për një projekt që Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka kushtuar saktësisht 121 mijë e 430 euro. Nuk janë dhënë informata se pse vetëm ky rast është prezantuar në raport, sa i takon sportit, por gjetjet e auditorit janë serioze.

“Një nga organizatat joqeveritare përfituese e projektit ‘databaza sportive në Kosovë’, nuk ka dorëzuar produktin/raportin final me kohë, për të cilin Ministria kishte paguar 121,430 euro. Për më shumë, edhe pas dorëzimit të produktit Ministria nuk e ka shqyrtuar dhe as pranuar të njëjtin përmes komisionit për të vlerësuar apo maksimizuar përfitimin nga ky projekt. Për pasojë, vlera për paranë e shpenzuar nuk është materializuar”, shkruan në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Për këtë projekt KOHA kishte shkruar që në nëntor të vitit 2021. Mjetet ishin ndarë nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për fushën e sportit. Përfituese e mjeteve ishte organizata “Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë”. Projekti quhej “Databaza e sportit në Kosovë – DSK”.

MKRS-ja kishte arsyetuar ndarjen e 121 mijë eurove për projektin e databazës, që tashmë është përmendur në raportin e auditorit. MKRS-ja kishte thënë se projekti është në përputhje me objektivin 1.4 të thirrjes publike për mbështetje nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

“Në bazë të vlerësimeve fillestare gjendja e bazës së të dhënave në të gjithë zinxhirin organizativ të organizatave sportive të licencuara për të ushtruar këtë veprimtari është shqetësuese. Mungojnë statistikat dhe të dhënat që mundësojnë për të zhvilluar çfarëdo strukture të planifikimit strategjik. Preventojnë dokumentimin e gjendjes aktuale, parandalojnë konstatimin e saktë të parametrave zhvillimorë dhe kështu politika publike rezulton të jetë e paefektshme në mënyrë të mjaftueshme, duke mos arritur as vlerat e kërkuara për kostot e shpenzuara nga resurset publike. MKRS-ja e ka urgjente të rindërtojë strukturën e politikës publike sportive, duke mirëshfrytëzuar të dhëna dhe baza dokumentare nga vetë institucionet publike, arsimore e shkencore, organizatat sportive dhe organizatat joqeveritare që arrijnë progres në komponentin e hulumtimeve. Mbi bazën e kësaj gjendjeje është vendosur objektiva 1.4”, shkruante në një përgjigje të gjatë të MKRS-së.

Sipas faqes zyrtare të organizatës “Cohesion” në Facebook, projekti për databazën është përmbyllur me një konferencë të mbajtur më 23 shtator të vitit 2022. Postime pas asaj date nuk ka.

Projekti për databazë të sportit mund të jetë harruar nga shumica e të përfshirëve. Por është përmendur në konferencën për shtyp të auditorit të shtetit, të mërkurën.