Ministria e Kulturës ka publikuar listën përfundimtare pastaj e ka fshirë atë. Një ditë më pas e ka ripublikuar me numër të ri protokolli. Shenjë e listës së parë ka mbetur data e publikimit në ueb-faqe, që është një ditë para asaj që tash është lista përfundimtare. Te lista e dytë përfundimtare ka bërë një korrigjim pasi një organizatë figuronte dy herë. Te lista përfundimtare e sivjetme janë gjithsej 313 organizata që, sipas MKRS-së, janë përkrahur me 4 milionë e 100 e 17 mijë euro. Në raport me listën e preliminare janë 38 organizata më shumë
Më shumë se një muaj i janë dashur Ministrisë së Kulturës që t’i shqyrtojë ankesat e organizatave joqeveritare pas publikimit të listës preliminare të “Thirrjes për projekt- propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore 2025”. Por, nuk i kanë mjaftuar. Ka publikuar listën përfundimtare pastaj e ka fshirë atë. Një ditë më pas e ka ripublikuar me numër të ri protokolli. Shenjë e listës së parë ka mbetur data e publikimit në ueb-faqe, që është një ditë para asaj që tash është lista përfundimtare. Te lista e dytë përfundimtare ka bërë një korrigjim pasi një organizatë figuronte dy herë. Në të parën me 18 mijë euro përkrahje e në të dytën me 10 mijë. Në listën përfundimtare ka 18 mijë euro. Por MKRS-ja nën këtë menaxhment njeh edhe situata ku lista është fshirë e pas 24 orëve i janë shtuar vlerat e përkrahjes deri gati në 300 mijë euro.
Te lista përfundimtare e sivjetme janë gjithsej 313 organizata që, sipas MKRS-së, janë përkrahur me 4 milionë e 100 e 17 mijë euro. Në raport me listën e preliminare janë 38 organizata më shumë. Prej 24 tek ato që kanë marrë përkrahje 3-vjeçare janë bërë 24. Është shtuar “Etea”. Te kategoria e tretë qenë 19, kurse tash janë bërë 22. Janë shtuar “KUD Sarski Behar”, “Jazz Festa Prishtina” dhe “Fondacioni për Gjakovën”. E para ka marrë përkrahje 25 mijë euro, kurse dy të tjerat nga 35 mijë. Kurse te kategoria e fundit nga 222 tash figurojnë 266 organizata.
“Rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese – BIRN Kosova” për sivjet dhe vitin e ardhshëm do të përkrahet me nga 50 mijë euro, kurse për vitin 2027 me 60 mijë euro për projektin “Promovimi i historisë moderne të rezistencës përmes ‘Reporting House’”. Organizata “7 Arte” për tre vjet radhazi do të përkrahet me nga 50 mijë euro për programin vjetor. Kurse Qendra Edukative dhe Këshillimore po ashtu do të përkrahet për tre vjet me nga 50 mijë euro për projektin “The guest keepers – Miqtë e vizitorëve – Kush do vizitor bëhet mik”. Te kategoria e dytë e thirrjes së hapur në fund të shkurtit, “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, zënë vend 21 organizata. Prej tyre 20 janë përkrahur për tre vjet e një për dy vjet. “Expoart 40 net/rrjet” do të marrë nga 40 mijë euro për tre vjet, njëjtë sikurse “Qendra kosovare për muzikën e re”, “Mundësia” dhe shtëpia teatrore e filmike AKT. Shoqata e Botuesve të Kosovës për Panairin e Librit do të marrë dy vjet nga 40 mijë euro, kurse në të tretin 20 mijë. Prej 20 deri në 40 mijë euro në vit për tre vjet do të marrin organizatat si fondacioni muzikor “ARS-Kosova”, “Cult Club” e “Pro Plus”. Kurse “Kosova ARS”, “Varg e vi”, “Florg” do të marrin prej 20 deri në 30 mijë euro për tre vjet. “Mollëkuqet”, “Ekipi Avoko”, “Oldtimer Prizreni”, “Brez pas brezi”, “Q’art” “Corpo Art”, “Amadeus”, “Prishtina Music Conference” e “Redo” do të marrin prej 15 mijë deri në 25 mijë euro në vit. E klubi alpin “Podguri” është përkrahur për dy vjet. Sivjet me 16 mijë e 600 euro, kurse vitin e ardhshëm me 12 mijë e 400 euro.
Te kategoria e tretë “Programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” janë 7 organizata me nga 40 mijë euro, si “ArtSy” për EP e albumit muzikor të Armend Rexhepagiqit, pastaj për festivalin e teatrove në Ferizaj, “Kastriotët” po në këtë qytet, fondacioni “Ramë Lahaj”, “Integra” për monografi për Melihate Qenën (Melin), “Prizren Fest” e Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës. “Mitrovica International Jazz Days” është përkrahur me 35 mijë euro, kurse me shuma prej 4 mijë deri në 30 mijë euro figurojnë edhe 214 organizata. Në këtë listë s’janë projektet individuale, ato të artistëve të rinj e as fondi i mobilitetit.
Por ka organizata e ngjarje tradicionale që nuk kanë gjetur përkrahje në këtë listë të gjatë e me shuma të majme, ku gjejnë vend edhe organizime që s’i njeh kush në fushën e kulturës.
Organizata “URACult” tash e 11 vjet funksionon në Këln të Gjermanisë. Aktivitetet i shtrin edhe në qytete të tjera përreth. Për dallim prej dy vjetëve paraprakë, sivjet s’ka gjetur vend në listat e MKRS-së as pas ankesës. Ali Salihu, i cili e drejton këtë organizatë, ka treguar se kur shoqata ka filluar punën më 2014, programi është realizuar me forca vetjake dhe pa shpresë që dikush ndonjë ditë do ta përkrahë. Për gati pesë vjet kanë punuar me ndihmën e anëtarësisë e donatorëve të ndryshëm, që kryesisht janë biznese shqiptare në Këln e rrethinë.
“Kur kemi marrë ndihmën e parë nga Ministria e Diasporës e më vonë edhe nga MKRS-ja, ato na kanë ndihmuar që ta zgjerojmë programin e rrethin e artistëve që i kishim në skenën tonë. Vetëm falë kësaj përkrahjeje kemi mundur që t’i prezantonim në gjermani dramat e Jeton Nezirajt, të kemi maestron Rafet Rudi me ‘ReMusica’, të prezantonim jazz-in e Rona Nishliut, Visar Kuçit e Elina Dunit, si dhe veprat e shumë artisteve e artistëve të tjerë nga Kosova e Shqipëria”, ka thënë ai. Sivjet kishin aplikuar prapë në MKRS dhe pas listës preliminare janë ankuar.
“Për shkak të numrit të madh të ngjarjeve të projektit të sivjetshëm kemi filluar aktivitetet më herët. Në maj kishim një koncert të muzikës klasike me Sihana Badivukun dhe Zana Badivukun në Dusseldorf, ku ishte një koncert shumë i mirë me publik shqiptar e gjerman. Tash pak a shumë jemi në borxh pasi ato mjete nuk i kishim. Ndoshta është gabimi ynë që kemi filluar realizimin e projektit pa marrë përgjigje nga MKRS-ja. Mendojmë se e meritojmë një përkrahje. Me diplomacinë kulturore që bëjmë, neve ndoshta na duhet ndihmë e veçantë nga MPJD-ja dhe MKRS-ja”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se të gjithë ata që angazhohen në organizatë këtë punë e bëjnë në baza vullnetare dhe pa pagesë.
“Ne do të mundohemi të gjejmë donacione që së paku një pjesë të planit tonë ta realizojmë sivjet”, ka thënë Salihu.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se është krejtësisht e pakuptueshme pse shoqata kulturore “URACult” është lënë jashtë mbështetjes financiare të MKRS-së.
“’URACult’ na ka mirëpritur, ndihmuar dhe mbështetur në shumë raste kur kemi prezantuar shfaqjet tona në Gjermani. Mund të them me bindje se ata kanë bërë një punë të rëndësishme në fushën e kulturës, në promovimin e kulturës kosovare në Gjermani, madje më shumë sesa ndoshta të gjitha ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në Evropë së bashku”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, “URACult” udhëhiqet nga të rinj shqiptarë idealistë, që kulturën e shohin përtej koncerteve të estradës dhe “përtej ‘cirkushaneve’ kulturore me të cilat është ushqyer diaspora jonë për krejt këto vite”.
“’URACult’ ka vendosur një standard të ri në marrëdhëniet kulturore Kosovë–diasporë, prandaj është për të ardhur keq që mundi dhe angazhimi i tyre vullnetar për gjithë këto vite nuk njihet dhe nuk vlerësohet nga Ministria e Kulturës”, ka thënë Neziraj. MKRS-ja rëndom nuk i publikon emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese në lista.
Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, sivjet MKRS-ja te kategoria “përkrahja e kulturës” ka 4.3 milionë euro. Por viteve të fundit rëndom MKRS-ja shfrytëzon edhe mjete të investimeve kapitale për të subvencionuar projekte të asaj që njihet si “skena e pavarur”. Për këtë edhe është kritikuar ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, në komisionet parlamentare. S’ia del të çojë përpara projekte kapitale e financon me të madhe organizata e individë. Kurse krejt në fund, këto ngjarje e edhe ato të institucioneve shtetërore mbahen nëpër salla private me qira të majme ose në ambiente që s’kanë kurrfarë kushtesh.
Vjet përkrahja kishte shkuar deri në 5.6 milionë euro. Qenë 13 organizata që u përkrahën për tre vjet deri me 100 mijë euro në vit. Te trembëdhjetëshja e “kategorisë së parë” qe shpërndarë buxheti prej 2 milionë e 828 mijë eurosh.
Pos “kategorisë së parë”, në të dytën – me maksimum mbështetje vjetore deri në 40 mijë euro – qenë 23 projekte. Në të tretën, deri në 20 mijë euro, plot 190 projekte.