Kulturë

Organizatat e “skenës së pavarur” marrin 4.6 milionë euro, plasin akuzat

Ministria e Kulturës sivjet për herë të dytë ka hapur thirrjen për projekt- propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore me mundësi të përkrahjes së organizatave deri në tre vjet.

Ministria e Kulturës sivjet për herë të dytë ka hapur thirrjen për projekt- propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore me mundësi të përkrahjes së organizatave deri në tre vjet.

Foto: Driton Paçarada

Janë 265 organizata të së ashtuquajturës “skenë e pavarur kulturore” që do të marrin nja 4,6 milionë euro nëse buxheti nuk rritet me listë përfundimtare. Disa prej tyre, qysh tash e kanë të garantuar buxhetin për tre vjet, në mesin e përfituesve ka edhe ngjarje pa fort peshë, përderisa disa prej atyre që kanë mbetur jashtë kanë shpërthyer në akuza. Në përgjithësi 24 organizata do të marrin për tre vjet 2 milionë e 111 mijë euro. Një situatë si kjo përsëritet sapo dalin listat preliminare

Ministria e Kulturës edhe sivjet e ka hapur me të madhe kuletën në raport me organizatat joqeveritare që veprojnë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Sipas listës preliminare të vlerësimeve, 23 organizatave ua ka përkrahur projektet për tre vjet. Një organizate për dy vjet. Në përgjithësi, 24 organizata do të marrin për tre vjet 2 milionë e 111 mijë euro. Kurse mbi 2 milionë e 500 mijë euro janë ndarë për projektet vjetore të 241 organizatave të tjera. Krejt bashkë, 265 organizata do të marrin mbi 4 milionë e 600 mijë euro. Ky është viti i dytë që MKRS-ja ndan mjete deri në tre vjet për organizatat joqeveritare. Ka prej tyre që aktivitet i kanë krejt periferike dhe kontributi në kulturë është thuajse i pavërejtshëm. Në anën tjetër, ka edhe prej organizimeve tashmë tradicionale që në vlerësimin preliminar s’kanë marrë asnjë cent. Reagimet kanë qenë të menjëhershme, sapo është publikuar lista.

Ministria e Kulturës sivjet për herë të dytë ka hapur thirrjen për projekt- propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore me mundësi të përkrahjes së organizatave deri në tre vjet. Sipas listës preliminare, tri janë organizatat që janë përkrahur me shumat më të mëdha sipas kategorisë “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”. Afati i ankesave është pesë ditë, që i bie deri më 13 korrik.

“Rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese – BIRN Kosova” për sivjet dhe vitin e ardhshëm do të përkrahet me nga 50 mijë euro, kurse për vitin 2027 me 60 mijë euro për projektin “Promovimi i historisë moderne të rezistencës përmes ‘Reporting House’”. Organizata “7 Arte” për tre vjet radhazi do të përkrahet me nga 50 mijë euro për programin vjetor. Kurse Qendra Edukative dhe Këshillimore po ashtu do të përkrahet për tre vjet me nga 50 mijë euro për projektin “The guest keepers – Miqtë e vizitorëve – Kushdo vizitor bëhet mik”. Te kategoria e dytë e thirrjes së hapur në fund të shkurtit, “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, zënë vend 21 organizata. Prej tyre, 20 janë përkrahur për tre vjet e një për dy vjet. “Expoart 40 net/rrjet” do të marrë nga 40 mijë euro për tre vjet njëjtë sikurse “Qendra kosovare për muzikën e re”, “Mundësia” dhe shtëpia teatrore e filmike AKT. Shoqata e Botuesve të Kosovës për Panairin e Librit do të marrë dy vjet nga 40 mijë euro, kurse në të tretin 20 mijë. Prej 20 deri në 40 mijë euro në vit për tre vjet do të marrin organizatat, si fondacioni muzikor “ARS-Kosova”, “Cult Club” e “Pro Plus”. Kurse “Kosova ARS”, “Varg e vi”, “Florg” do të marrin prej 20 deri në 30 mijë euro për tre vjet. “Mollëkuqet”, “Ekipi Avoko”, “Oldtimer Prizreni”, “Brez pas brezi”, “Q’art” “Corpo Art”, “Amadeus”, “Prishtina Music Conference” e “Redo” do të marrin prej 15 mijë deri në 25 mijë euro në vit. E klubi alpin “Podguri” është përkrahur për dy vjet. Sivjet me 16 mijë e 600 euro, kurse vitin e ardhshëm me 12 mijë e 400 euro.

Te kategoria e tretë “Programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” janë 7 organizata me nga 40 mijë euro, si “ArtSy” për EP e albumit muzikor të Armend Rexhepagiqit, pastaj për festivalin e teatrove në Ferizaj, “Kastriotët” po në këtë qytet, fondacioni “Ramë Lahaj”, “Integra” për monografi për Melihate Qenën (Melin), “Prizren Fest” e Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës. “Mitrovica International Jazz Days” është përkrahur me 35 mijë euro, kurse me shuma prej 4 mijë deri në 30 mijë euro figurojnë edhe 214 organizata. Në këtë listë s’janë projektet individuale, ato të artistëve të rinj e as fondi i mobilitetit.

Por ka organizata e ngjarje tradicionale që nuk kanë gjetur përkrahje në këtë listë të gjatë e me shuma të majme. Galeria “Qahili” sivjet ka shënuar 12-vjetorin e themelimit dhe është prej institucioneve të pavarura të artit pamor më funksionale në vend. Por s’ka gjetur përkrahje.

Nita Qahili, e cila menaxhon me Galerinë, ka thënë se do të paraqesin ankesë.

“Për ne është e paarsyeshme dhe e pakuptimtë që nuk jemi mbështetur duke e pasur parasysh që tash e 12 vjet investojmë dhe punojmë në fushën e artit, për afirmimin e artit e artistëve për të krijuar bashkëpunime, gjë që është bërë dhe vazhdon të bëhet”, ka thënë ajo. Ka shtuar se janë familja e vetme që ka bërë investim vetjak në një objekt për art e që ka për qëllim të vazhdojë me punë e të rriten në hapësirë.

“Por pa marrë parasysh, me mbështetje ose pa mbështetje ne nuk ndalemi, vazhdojmë qysh kemi vazhduar deri tash, për shkak se ky objekt është blerë, nisur e ndërtuar veç për atë qëllim, zhvillimin e artit e kulturës, që ne e kemi parë ndërrimin e shprehive të njerëzve gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ajo. Familja e Eshref Qahilit me galeri në periferi të kryeqytetit ka qenë disa herë nën presion të ndërtuesve ose zhvilluesve të pronave që t’i lëshojnë shtëpinë e galerinë në këmbim të metrave që ofrohen në shumëkatëshe, por s’ka pranuar.

Një reagim publik e ka bërë klubi letrar “De Rada” nga Ferizaj. Kanë treguar se kolonia letrare “Muzat e Jezercit” – edicioni i tetë, ishte projekti i vetëm me të cilin kanë aplikuar në thirrjen publike të këtij viti.

“Derisa komisioni vlerësues (natyrisht anonim) ka ndarë shuma të konsiderueshme për jo më pak se 265 projekte në katër kategori, përfshirë edhe projekte të panjohura për publikun, nuk e ka vlerësuar të nevojshme të japë as minimumin e atyre shumave për një projekt që për vite me radhë ka qenë një pelegrinazh poetik ku kanë lënë gjurmë edhe emra të shquar të letërsisë shqipe”, shkruhet në reagim. Sipas tyre, kur një klub letrar me histori 55-vjeçare të funksionimit, që u ka mbijetuar shtypjes së okupatorit, censurës, djegies së librave e të gjitha pasigurive të tranzicionit, përjashtohet me lehtësi nga skemat e mbështetjes publike, “mesazhi që u përcillet heshturazi krijuesve dhe lexuesve është i trishtë, por i qartë: ‘Ju nuk jeni të rëndësishëm. Nuk na interesoni’”.

“Nëse kultura në Kosovë matet me festivalet komerciale që promovojnë gjithçka përveç librit, nëse vlerësohen projekte që s’kanë as gjurmë të traditës, ndërsa anashkalohen përpjekjet serioze për të ruajtur letërsinë si themel të kulturës sonë kombëtare, atëherë nuk kemi të bëjmë me një politikë të dobët kulturore, por me një shkatërrim të qëllimshëm të saj nga institucionet që duhet ta ruajnë atë”, shkruhet në reagimin e nisur nga Zyrafete Shala, kryetare e klubit letrar, “De Rada”.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, sivjet MKRS-ja te kategoria “përkrahja e kulturës” ka 4.3 milionë euro. Por viteve të fundit rëndom MKRS-ja shfrytëzon edhe mjete të investimeve kapitale për të subvencionuar projekte të asaj që njihet si “skena e pavarur”. Për këtë edhe është kritikuar ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, në komisionet parlamentare. S’ia del të çojë përpara projekte kapitale e financon me të madhe organizata e individë. Kurse krejt në fund, këto ngjarje e edhe ato të institucioneve shtetërore mbahen nëpër salla private me qira të majme ose në ambiente që s’kanë kurrfarë kushtesh.

Vjet përkrahja kishte shkuar deri në 5.6 milionë euro. Qenë 13 organizata që u përkrahën për tre vjet deri me 100 mijë euro në vit. Te trembëdhjetëshja e “kategorisë së parë” qe shpërndarë buxheti prej 2 milionë e 828 mijë eurosh.

Pos “kategorisë së parë”, në të dytën – me maksimum mbështetje vjetore deri në 40 mijë euro – qenë 23 projekte. Në të tretën, deri në 20 mijë euro, plot 190 projekte.