Ishte bërë bujë për kuvendin e fundit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Agim Ademi kishte mbajtur postin e presidentit dhe vazhdon të udhëheqë me federatën më të madhe në vend. Në kuvendin e janarit u zgjodhën anëtarët e Komitetit ekzekutiv, ndërsa punimet e kuvendit ishin shumë të zhurmshme.
Kuvende të tjera me zhvillime priten të mbahen në federata sportive në dy muajt e ardhshëm. Është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të premten, përmes një letre, ka kërkuar nga KOK-u dhe nga federatat që nuk i kanë mbajtur kuvendet në fillim të vitit që t’i mbajnë ato. Komiteti Olimpik i Kosovës nuk e ka mbajtur kuvendin e punës për këtë vit, ndërsa burime të KOHËS kanë bërë të ditur se larg opinionit po punohet nga disa federata për të marrë drejtimin e KOK-ut.
Nuk dihet nëse pretendimet do të bëhen publike në kuvendin e punës apo do të pritet kuvendi zgjedhor që duhet të mbahet vitin e ardhshëm. Që ka pretendime për të marrë drejtimin e kanë pranuar edhe në KOK, ndonëse jozyrtarisht, transmeton KOHA.
Edhe në federata sportive të tjera mund të ketë ndryshime në udhëheqësi, ndonëse bëhet fjalë për kuvende të punës. Një gjë e tillë ndodhi në Federatën e Pingpongut të Kosovës në fund të muajit shkurt.
Është Ibër Alaj, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në MKRS, që ka kërkuar mbajtjen e kuvendeve. Alaj deri vonë ka udhëhequr Departamentin e Sportit. Ai, përmes një letre qarkore për federatat dhe për KOK-un, ka dhënë udhëzime lidhur me mbajtjen e kuvendeve të punës dhe kuvendeve zgjedhore. Në letrën e Alajt shkruan se dy të tretat e federatave sportive kanë mbajtur kuvendet e punës në muajt janar, shkurt dhe mars.
“Mirëpo, për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe mbylljes së plotë të aktiviteteve sportive, rreth një e treta e federatave sportive, duke përfshirë edhe KOK-un, nuk i kanë mbajtur kuvendet e tyre të punës. Prandaj, organizatat sportive që nuk i kanë mbajtur kuvendet e rregullta të punës për vitin 2019 udhëzohen që ato t’i mbajnë më së largu deri në fund të vitit 2020, duke respektuar udhëzimet nga IKSHPK dhe protokollet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, duke shqyrtuar mundësitë teknike që një gjë e tillë të realizohet edhe në formë të organizimit të këtyre kuvendeve të rregullta të punës në formën online”, shkruan në letrën e Alajt, një kopje të së cilës e ka KOHA.
MKRS-ja ka bërë të qartë se mbajtja e kuvendeve të punës është obligative. MKRS-ja ka kërkuar që fillimisht të mbahen kuvendet në klube. Në fakt, kjo nuk respektohet thuajse asnjëherë. Klubet në shumicën e sporteve funksionojnë nga një person apo nga pak persona, ndërsa kuvendet mbahen vetëm në raste shumë të rralla.
Klubet kanë kohë deri më 31 janar t’i mbajnë kuvendet.
“Pas përfundimit të kuvendeve (të rregullta e zgjedhore të klubeve, nën monitorimin e federatave sportive përkatëse dhe komunave përkatëse), gjatë muajit shkurt e më së largu deri më 28 shkurt mbahen kuvendet e rregullta dhe ato zgjedhore të federatave nën monitorimin e MKRS dhe KOK-ut”, shkruan tutje në letër.
Alaj ka bërë të qartë se një proces zgjedhor e pret edhe KOK-un.
“Pas përfundimit të kuvendeve të rregullta dhe zgjedhore të federatave, gjatë muajit mars e më së voni deri më 31 mars mbahet kuvendi i rregullt dhe zgjedhor i KOK-ut, nën monitorimin e MKRS-së”.
MKRS-ja ka kërkuar që të bëhet dallimi në mes të kuvendeve zgjedhore dhe atyre të punës. Për KOK-un, megjithatë, është lënë e hapur mundësia që kuvendi zgjedhor të mbahet deri në tetor të vitit të ardhshëm. Por, për këtë duhet të vendoset në Asamblenë e Punës për vitin 2019, e që duhet të mbahet brenda vitit 2020, pra në dy muajt e ardhshëm.