Sport

Koronavirusi ua zgjat mandatin kryetarëve të federatave dhe atij të KOK-ut

Foto: Driton Paqarada

Federatat sportive të Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është dashur që gjatë këtij viti t’i mbajnë kuvendet zgjedhore.

Por, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për pezullimin e aktiviteteve sportive më 13 mars, për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit, si dhe masave të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, zgjedhjet do t’i mbajnë vitin tjetër. Me shtyrjen e zgjedhjeve, automatikisht u është zgjatur mandati edhe kryetarëve të federatave dhe atij të KOK-ut, Besim Hasani.

Federatat dhe KOK-u, me vendim të kësaj të fundit, obligohen t’i mbajnë kuvendet zgjedhore pas përfundimit të ciklit katërvjeçar olimpik. Një gjë e tillë është respektuar edhe në përfundim të ciklit olimpik 2012-2016, ku të gjitha federatat i janë nënshtruar procesit zgjedhor. Edhe licencimi i federatave është vendosur të bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS), çdo katër vjet, me cikël olimpik.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka thënë se shumë federata tashmë kanë arritur t’i mbajnë kuvendet e punës, derisa të tjerat pret t’i përfundojnë gjatë këtij viti.

“Shumë federata i kanë mbajtur kuvendet e tyre të punës, kurse federatat e tjera dhe KOK-u do t’i mbajnë posa të pezullohet ndalimi i grumbullimeve. Besoj se do t’ia dalim kësaj pandemie dhe ndër punët e para që do t’i bëjmë janë kuvendet. Në tremujorin e parë të vitit 2021 do të mbahen kuvendet zgjedhore për klube, federata dhe KOK”, ka thënë Hasani.

KOK-u kishte paraparë që Asamblenë e Përgjithshme Vjetore ta mbante në fund të muajit të kaluar, por e pezulloi për një afat të pacaktuar për shkak të masave të marra nga Qeveria e vendit pas rasteve të para me koronavirus.

“KOK-u është dashur ta mbajë Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore pas Lojërave Olimpike dhe duhet të mbahet në tremujorin e parë. Mandati do të jetë katërvjeçar deri në Lojërat Olimpike, që do të mbahen në vitin 2024 në Paris”, është shprehur Hasani, që në krye të KOK-ut është që nga viti 1996...(gjerësisht në Kohën Ditore)