Jo vetëm në Federatën e Futbollit të Kosovës ka zhvillime në prag të një Kuvendi të thirrur. Zhvillime në dy ditët e fundit ka edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës, organizatën më të madhe sportive në vend.
Komiteti Olimpik i Kosovës për 30 mars ka thirrur Asamblenë e Punës për vitin 2021. Por tri federata sportive tashmë kanë bërë kërkesë që në Asamble të përfshihet pika për votëbesimin e bordit dhe të kryetarit të KOK-ut, Ismet Krasniqi. Votëbesimi nënkupton rikonfirmim i përkrahjes nga delegatët.
KOK-u prej 25 marsit të vitit të kaluar drejtohet nga Ismet Krasniqi. Krasniqi për një kohë ka drejtuar edhe Federatën e Karatesë së Kosovës, ndërsa nga FKK-ja ka dhënë dorëheqje më 2 mars. FKK-ja mbajti Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të enjten në Prishtinë. Kandidati për kryetar, i afërt me Krasniqin, nuk i fitoi zgjedhjet. Tani kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës është Avni Gashi.
Drejtuesit e rinj të FKK-së nuk janë deklaruar, ndërsa janë tri federata të tjera që kanë shprehur pakënaqësi me gjendjen në KOK.
Federata e Notit e Kosovës, Federata e Çiklizmit e Kosovës dhe Federata e Kikboksit e Kosovës kanë bërë kërkesë zyrtare për “plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës në Asamblenë e KOK-ut”.
“Kërkojmë që te rendi i ditës të shtohet: Votëbesimi i bordit ekzekutiv të KOK-ut (presidentit, nënpresidentëve, anëtarëve të zgjedhur dhe të emëruar të BE)”, thuhet në kërkesën e Federatës së Kikboksit të Kosovës, të nënshkruar nga kryetari Fatmir Makolli.
“Arsyeja e thirrjes në votëbesim është performanca e dobët që nga zgjedhja e BE, më 25 mars 2021 e deri më sot, si dhe ndërhyrjet e bordit ekzekutiv të KOK-ut në punët e brendshme të Federatës së Kikboksit të Kosovës”, thuhet në arsyetim të kërkesës.
Arsyetimin e kërkesës e ka bërë edhe Federata e Notit e Kosovës.
“Arsyeja kryesore e kërkesës së votëbesimit është ndërhyrja e bordit ekzekutiv të KOK-ut në punët e brendshme të Federatës së Notit të Kosovës, si dhe performanca jo e mirë që nuk jep shpresa për një ndryshim pozitiv në raport me zhvillimin e sportit në përgjithësi. Si, caktimi i trajnerit pjesëmarrës në Lojërat Olimpike 2020, duke mos dhënë asnjë shpjegim apo vendim se si ka ardhur deri te një ndryshim i tillë; përzgjedhja e bursistëve olimpikë duke anashkaluar propozimet e Federatës dhe mosdërgimi i vendimit të komisionit rreth mënyrës së përzgjedhjes. Mendojmë se mostransparenca dhe ndërhyrjet e tilla nuk i kontribuojnë zhvillimit të sportit”, ka shkruar Astrit Haliti, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës. Kërkesa e tij është për votëbesim të bordit ekzekutiv të KOK-ut.
Më shumë arsye ka përmendur kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha. Ai është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, ndërsa kjo nuk e ka penguar që të kërkojë votëbesim të presidentit të KOK-ut dhe të Bordit Ekzekutiv.
Nuha ka shkruar për mungesë transparence, jo sinqeritet dhe mungesë të unitetit brenda bordit. Pretendon se bordin e KOK-ut e udhëheq një grup prej katër personash.
“Unë si njëri prej anëtarëve të bordit ekzekutiv më të votuar nga Asambleja e KOK-ut, jam i pakënaqur me transparencën, josinqeritetin, mungesën e unitetit brenda bordit, për shkak të udhëheqjes së bordit nga një grup i ngushtë prej katër personave që e kanë kapur bordin e për të cilët do të flas në Kuvend me emra; për shkak të marrjes së kompetencave të kryetarit të KOK-ut nga sekretari i ri, Besim Aliti, prej zgjedhjes së tij si sekretar; në procesin e kategorizimit janë favorizuar disa federata të afërta me kryetarin dhe disa anëtarë të bordit; përzgjedhja jotransparente dhe jo e drejtë e bursistëve të KOK-ut nga komisioni i sportit pranë KOK-ut; favorizimi pa meritë i bursistëve shpresa olimpike, si dhe lënia pa bursa e disa shpresave olimpike meritore; edhe pse Federata Botërore e Çiklizmit ka dërguar email për të liruar katër garues të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, bordi padrejtësisht po planifikon t’i largojë tre sportistë, gjoja për mungesë të buxhetit dhe kinse jo rezultate të mira. Unë si anëtar i bordit e di shumë mirë se buxhet ka mjaftueshëm në KOK”, ka shkruar gjerë e gjatë Avni Nuha.
Në të vërtetë prej kur Krasniqi mori drejtimin e KOK-ut një pjesë e federatave ka qenë e pakënaqur. Pakënaqësitë janë shfaqur ende pa nisur ai punën mirë, për shkak se disa drejtues federatash mbetën jashtë bordit ekzekutiv të KOK-ut. Ka pasur të pakënaqur edhe brenda bordit ekzekutiv. Fakti se Kosova fitoi dy Medalje të arta olimpike në “Tokio 2020” solli qetësi për një kohë, por largimi i Shasivar Haxhijajt nga posti i sekretarit të përgjithshëm solli zhvillime të reja. Ka kohë që në qarqet sportive diskutohet për tentim-ndryshime të reja në krye të KOK-ut. Se a është më i madh grupi i atyre që synojnë ndryshime apo i atyre që janë të kënaqur me drejtuesit aktualë do të merret vesh në Asamblenë e 30 marsit.
KOHA ka mësuar që ka pak gjasa që kërkesa për votëbesim të përfshihet në rend të ditës nga KOK-u. Federatat që kanë bërë kërkesat janë në pritje të përgjigjes zyrtare nga KOK-u.
Besim Hasani kishte udhëhequr që nga viti 1996 me Komitetin Olimpik të Kosovës. Hasani kishte humbur zgjedhjet nga Ismet Krasniqi dhe ka konfirmuar disa herë për KOHËN se synon të kthehet në pozitën e presidentit.