Komiteti Olimpik i Kosovës ka thirrur për 30 mars Asamblenë e Punës për vitin 2021. Tri federata sportive të vendit kanë bërë kërkesë më herët këtë muaj që në rend të ditës të shtohet pika për “votëbesim ndaj Bordit ekzekutiv dhe kryetarit të KOK-ut”.
Bëhet fjalë për Federatën e Notit të Kosovës, Federatën e Çiklizmit dhe Federatën e Kikboksit të Kosovës. Votëbesimi nënkupton rikonfirmim i përkrahjes së delegatëve për drejtuesit e organizatës.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka refuzuar kërkesën e tri federatave për votëbesim. Përgjigjen në emër të KOK-ut për të paktën dy federata e ka dhënë Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Ndërkohë Federata e Notit dhe ajo e Çiklizmit kanë dërguar letra të reja në drejtim të KOK-ut.
“Termi ‘votëbesim’ nuk parashihet në Statutin e KOK-ut, respektivisht neni 11 i këtij statuti parasheh shpërbërjen e Asamblesë, për çka nevojitet paraprakisht rezoluta apo propozimi i pranuar i së paku dy të tretat e delegatëve të votuesve prezentë. Kjo nënkupton se ky propozim për rendin e ditës mund të kalojë më 30 mars 2022, në rast se po atë ditë arrini të siguroni rezolutën e së paku 2/3 të delegatëve votues prezentë, në mënyrë që ky propozim i juaji të futet në rendin e ditës së Asamblesë”, ka shkruar sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, ndër të tjera, në përgjigjen për federatat.
Ai ka kthyer përgjigje edhe për pika të tjera të paraqitura në kërkesën e federatave sportive. Në korrespodencën mes KOK-ut dhe këtyre federatave ka akuza për mungesë njohurive, ndërsa përmenden edhe favorizime në baza familjare. Madje ka edhe kërcënime për hapje të rasteve në gjykatë për akuza publike të bëra.
“Në lidhje me Asamblenë e KOK-ut, Federata e Notit nuk ka kërkuar që të shpërbëhet Asambleja e KOK-ut. FNK ka kërkuar që të futet në rend të ditës votëbesimi i Bordit Ekzekutiv për shkak të mungesës së performancës dhe temat e tjera që i kemi përmendur në letër”, shkruan në letrën e dytë për KOK-un të Astrit Halitit, kryetarit të Federatës së Notit të Kosovës.
Astrit Haliti pretendon se Bordi i KOK-ut nuk ka mbajtur fare mbledhje për të shqyrtuar kërkesën e FNK-së, ndonëse sekretari i KOK-ut, Besim Aliti, ka shkruar të kundërtën.
Një letër të gjatë, të dytë, e ka dërguar në KOK edhe kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha. Nuha, madje, është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, për të cilin FÇK-ja ka kërkuar votëbesim.
Edhe Nuha shkruan se kërkesat e federatave nuk janë diskutuar në mbledhje të Bordit, por në një grup në “viber”, që ai thotë se nuk është mënyrë zyrtare e komunikimit. Letra e tij është më shumë vazhdim i debatit të hapur në letrën e parë, e që është vazhduar me përgjigjet e sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut.
“Ajo që dihet me Statut dhe me Rregullore të Punës është se mënyra e shkarkimit është e njëjtë me atë të zgjedhjes së Bordit Ekzekutiv. Por në fund të fundit pse duhet t’i frikësohemi votëbesimit? Nëse për një vit ne si Bord kemi punuar mirë, Asambleja do të na mbështesë sërish. Në të kundërtën, nëse ata thonë se nuk kemi punuar në bazë të asaj çka kemi premtuar, natyrisht mund të na marrin mandatin. Ne duhet të ballafaqohemi me përgjegjësinë që e kemi marrë nga Asambleja”, shkruan, ndër të tjera, në letrën e Avni Nuhës të Federatës së Çiklizmit.
Aktualisht drejtuesit e KOK-ut, duke përfshirë kryetarin Ismet Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Aliti, janë në Finlandë, ku mbahet një festival evropian për të rinj në sportet dimërore. Natyrisht, delegacioni ka më shumë drejtues se sportistë.