Sport

KOK-ut i kërkohet përsëritja e Asamblesë, drejtuesit e tij i quajnë të pavërteta akuzat

E parregullt dhe paligjshme është vlerësuar Asambleja e Punës e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), që u mbajt në fund të muajit të kaluar. Këtë konstatim e kanë dhënë delegatët që lëshuan Asamblenë e Punës së KOK-ut. Sipas grupit të pakënaqur me punën e presidentit dhe Bordit të KOK-ut, janë 31 delegatë që kërkojnë përsëritjen e Asamblesë së Punës së KOK-ut. Bashkërisht kanë lëshuar një reagim ku kanë numëruar edhe shkeljet që, sipas tyre, janë bërë në Asamblenë e mbajtur më 30 mars. Në KOK kanë theksuar se të gjitha këto akuza janë të pavërteta dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të Bordit Ekzekutiv të KOK-u.

“Kjo Asamble duhet të përsëritet në të gjitha pikat e rendit të ditës, duke përfshirë edhe pikën e kërkuar nga federatat sportive për votëbesim të presidentit dhe Bordit Ekzekutiv. Mbledhjet e Asamblesë nuk mund të udhëhiqen në mënyrë arbitrare dhe të njëanshme as tash dhe as në të ardhmen, ato duhet udhëhequr duke respektuar, statutin, rregulloret në fuqi, si dhe të respektohen të drejtat themelore demokratike, si e drejta e fjalës, replikës, debatit, e votës së lirë etj. Përgjegjës direkt për këto parregullsi është presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, sepse ai ka për detyrë ta sigurojë mbikëqyrjen dhe zbatimin e Statutit të KOK-ut dhe Kartën Olimpike në Kosovë, e jo ai ta shkelë vetë atë”, thuhet në përgjigjen e grupit të delegatëve që kërkuan edhe votëbesimin e presidentit dhe bordit aktual të KOK-ut. “Asambleja duhet të thirret brenda një muaj për t’u kthyer ligjshmëria e saj. Në rast të mos thirrjes së Asamblesë nga presidenti dhe BE i KOK-ut, ne do ta dërgojmë rastin në KAS të KOK-ut. Po ashtu për të gjitha shkeljet e bëra do të njoftojmë Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, atë të Evropës, ANOC, ICMG dhe të gjitha organizatat ku është anëtare KOK-u. Ky reagim bëhet në emër të 31 delegatëve të Asamblesë që e kanë lëshuar mbledhjen e Asamblesë së KOK, për shkak të shkeljeve statutare dhe rregulloreve të KOK-ut që janë në fuqi”.

Në reagim thuhet se presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Besim Alitin, dhe me Komisionin e Pavarur Zgjedhor kontrabanduan në listën e delegatëve dy federata me nga tri vota, kundërligjshëm dhe fshehtas.

“Pra 6 delegatë, 3 nga Federata e Pentatlonit Modern dhe 3 nga Federata e Kalërimit të Kosovës, u futen në lista dhe votuan kundërligjshëm pa pasur të drejtë vote. Asnjë vendim i saj nuk mund të jetë i vlefshëm derisa në të kanë votuar 6 delegatë pa të drejtë vote”, shkruan në reagim.

Votëbesimi është kërkuar nga tri federata sportive të vendit. Bëhet fjalë për Federatën e Notit të Kosovës, Çiklizmit dhe Kikboksit. Votëbesimi nënkupton rikonfirmimin e përkrahjes së delegatëve për drejtuesit e organizatës. Por kërkesa e tri federatave nuk është futur në rend të ditës. Sekretari Besim Aliti ka thënë më herët se termi “votëbesim” nuk parashihet në Statutin e KOK-ut. Respektivisht neni 11 i këtij statuti parasheh shpërbërjen e Asamblesë, për çka nevojitet paraprakisht rezoluta apo propozimi i pranuar i së paku nga dy të tretat e delegatëve të votuesve prezentë. Ai të mërkurën për KOHËN ka thënë se gjitha akuzat janë të pavërteta.

“Të gjitha këto akuza janë të pavërteta dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut dhe më pas do të dalim me një përgjigje zyrtare”, ka thënë Aliti për KOHËN.

Bordi aktual në krye me presidentin Krasniqi është zgjedhur më 25 mars të vitit të kaluar. Krasniqi rrëzoi Besim Hasanin pas 25 vjetësh në krye të KOK-ut.