Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka fituar dy ndeshjet e para në raundin e parë të parakualifikimeve për Botërorin e vitit 2023 dhe do të jetë lidere në grup të paktën deri më 26 nëntor, kur luhen ndeshjet tjera.
Të enjten, Kosova fitoi 80:78 ndaj Islandës në Prishtinë, ndërsa të dielën fitoi 84:80 në udhëtim ndaj Luksemburgut. Ishin ndeshjet e para nën drejtimin e grekut Christos Marmarinos, të emëruar kohë më parë në postin e përzgjedhësit.
Marmarinos ka shpresuar në fillim të mbarë, por nuk ka pritur të debutojë me dy fitore.
“Kam shpresuar por nuk kam pritur një debutim dhe fillim të tillë të ekipit. Kishim pak kohë në dispozicion që të përgatitemi. Basketbollistët u përgjigjën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke më dhënë një debutim fantastik. Luftuan dhe nuk u dorëzuan për asnjë moment në të dy ndeshjet. Është një fillim shumë i mirë në këto parakualifikime”, ka thënë Marmarinos të hënën për Koha.net.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan më 26 nëntor në udhëtim ndaj Sllovakisë. Më 29 nëntor luan prap në udhëtim, ndaj Islandës. Ndeshjet e fundit i luan në shkurt të vitit tjetër. Kosova kërkon një nga dy pozitat e para për kalim tutje.
“Kemi luajtur me personalitet dhe kjo është shumë e rëndësishme. Edhe në ndeshjet tjera do të luajmë vetëm për fitore. Për kualifikim është ende herët të flasim, por starti është premtues”, ka thënë Marmarinos.
-
Marmarinos përgëzon lojtarët pas fitores ndaj Danimarkës
-
Marmarinos beson në rezultate pozitive
-
Fjalët e rënda të grekut Marmarinos shpresohet t’i zgjojnë basketbollistët e Kosovës
-
“Dardanët” synojnë fitore për të mbetur në garë për kualifikim
-
Marmarinos i fokusuar më shumë tek e ardhmja sesa te fitoret me Luksemburgun dhe Sllovakinë