Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Christos Marmarinos ka folur para dy ndeshjeve që “Dardanët” i luajnë këtë javë në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.
Kosova të enjten do të luajë në udhëtim ndaj Norvegjisë, ndërsa të dielën në Prishtinë e pret Danimarkën.
Të dy ndeshjet, i takojnë Grupit C parakualifikues. Kosova sot ka marrë rrugën për Norvegji, ku do t’i mbajë dy stërvitje para duelit me norvegjezët në qytetin e Bergenit. “Mendoj se nuk ka nder më të madh se të përfaqësosh vendin tënd në garat ndërkombëtare.
“Basketbollistët e Kosovës e dinë rëndësinë e ndeshjeve dhe sigurisht se presim që do të japin maksimumin në parket. Nuk do të mungoj angazhimi ynë dhe do të japim më të mirën tonë për rezultate pozitive”, është shprehur Marmarinos për faqen zyrtare të FBK-së.
“Do t’i qasemi ndeshjeve një nga një. Ne besojmë në rezultate pozitive. Është rëndësishme atmosfera në ekip dhe të bëjmë më të mirën tonë për të fituar. Janë dy ndeshje me rëndësi në një rrugëtim të gjatë”.