Sport

Fjalët e rënda të grekut Marmarinos shpresohet t’i zgjojnë basketbollistët e Kosovës

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, greku Christos Marmarinos, ka kërkuar vetëm dy gjëra prej basketbollistëve të tij për ndeshjen kundër Sllovakisë – angazhim e motivim. Ai vlerëson se angazhimi dhe motivimi u munguan basketbollistëve të Kosovës në duelin kundër Luksemburgut të enjten mbrëma, kur ata u shokuan me humbje prej dhjetë pikëve (99:89) në Prishtinë. Kosova, të shtunën prej orës 19:00, në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë, do të përballet me Sllovakinë në ndeshjen e fundit të raundit të parë parakualifikues për Botërorin 2023.

Për të avancuar në fazën tjetër, Kosovës i duhet fitorja ndaj Sllovakisë. Por, fillimisht i duhet humbja e Luksemburgut nga Islanda në ndeshjen që luhet prej orës 16:00. Kosova është e fundit në Grupin B me shtatë pikë, sa i kanë edhe Luksemburgu e Sllovakia që janë në pozitat dy dhe tre, derisa Islanda tashmë e ka siguruar avancimin tutje si lidere me nëntë pikë. Në fazën tjetër do të kualifikohet edhe ekipi i dytë, që do të mësohet të shtunën. Luksemburgu me fitore avancon tutje, ndërsa në rast humbjeje tutje shkon fituesi i ndeshjes Kosovë–Sllovaki.

“Pres luftë më të fortë”, tha shkurt Marmarinos të premten për KOHËN, kur u pyet se çfarë pret për duelin e rëndësishëm kundër Sllovakisë.

Marmarinos shpreson që në ndeshjen ndaj Sllovakisë të mos zhgënjehet sikurse u zhgënjye me paraqitjen kundër Luksemburgut. Zhgënjimi i trajnerit grek nuk kishte të bënte me humbjen e papritur, por me angazhimin dhe motivimin e basketbollistëve të Kosovës. Madje, ai paralajmëroi edhe ndryshime në ekip për ndeshjen e fundit të këtij raundi parakualifikues. Në konferencën për shtyp pas duelit me Luksemburgun i akuzoi lojtarët e tij për mungesë përkushtimi dhe motivimi. Madje, ai mori përsipër edhe përgjegjësinë për humbjen nga Luksemburgu, që ishte e papritur. Sipas tij, një pjesë e lojtarëve nuk ishin fare në ritmin e lojës dhe gjithashtu u mungoi motivimi, për të cilin ka punuar prej fillimit të javës së shkuar, kur e ka nisur grumbullimin për këto dy ndeshjet e fundit.

“Së pari dua ta marr përgjegjësinë për këtë humbje, është gabimi im që ekipi nuk ishte agresiv sa është dashur të jetë. Jemi munduar, kishim disa momente pasi patëm lojtarë që kontribuuan dhe patëm disa të tjerë që ishin tërësisht jashtë ritmit të lojës. Është dashur të jemi më shumë agresivë, t’i kontrollojmë kërcimet më mirë. Unë nuk mund të luaj për lojtarët, por t’i sjell në pozitë që të luajnë dhe t’i motivoj. Nëse djemtë nuk janë të motivuar, gjë që nuk dua të besoj dhe për këtë arsye dua që ky të jetë gabimi im sesa të besoj që ata nuk ishin në gjendje të garojnë në këtë nivel. Kështu që, është përgjegjësia ime. Për ndeshjen tjetër do të mundohemi të gjejmë lojtarë që janë në gjendje të luajnë në këtë nivel. Nuk është lehtë, por është detyra ime. Kishim disa momente, patëm lojtarë që kontribuuan për ekipin dhe patëm lojtarë që ishin tërësisht jashtë ritmit të lojës. Do të mundohemi të shkojmë me ata që do të na dëshmojmë diçka më shumë që janë gati për këtë nivel të garës”, ishin fjalët e Marmarinosit të zhgënjyer, duke shtuar se humbja nga Luksemburgu askënd nuk e ka bërë krenar dhe se personalisht për të ishte një humbje e rëndë.

“Dua që njerëzit të na përkrahin dhe të ndjejnë që po bëjmë diçka për shtetin, për familjet e lojtarëve dhe për të gjithë të tjerët. Nëse nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë, atëherë për mua kjo është e rëndë. Unë nuk kam problem me humbjen apo fitoren, por e kam problem shumë të madh kur ekipi nuk përfaqëson vlerat e këtij shteti ashtu siç duhen përfaqësuar”.

Marmarinos ka folur edhe për shqetësimin e tij më të madh, motivimin e lojtarëve. Ai shtoi se nuk po e sheh as arsyen më të vogël që basketbollistët të kenë presion, pavarësisht kundërshtarit, në këtë rast Sllovakisë.

“Jemi munduar tërë javën t’ua largojmë presionin lojtarëve dhe nuk e shoh arsye që të kemi presion, jemi autsajderë dhe luajmë në shtëpi. E di që Sllovakia është ekip i mirë, më i mirë se ne, por nuk është në pyetje Sllovakia, por a jemi në gjendje ta menaxhojmë veten të jemi në nivelin tonë”, ka shtuar Marmarinos. “Kemi pasur disa lojtarë që e tejkaluan nivelin e vetes dhe kishim lojtarë nën nivelin e tyre të lojës. Nëse kemi 7-8 lojtarë mbi nivelin e tyre, do ta fitojmë ndeshjen. Nëse dikush nuk është i motivuar kur luan për shtetin e vet në shtëpinë e tij për të avancuar në kualifikime të Botërorit, atëherë kur do të jetë i motivuar, apo kur do ta ketë këtë motivim? Nëse nuk jemi tani të motivuar, kur do të jemi? Ky është shqetësimi dhe kjo është pyetja ime”.

Marmarinos ka pranuar se përballja me Sllovakinë është jetike edhe pse varet nga dueli i mëparshëm ndërmjet Luksemburgut e Islandës. Ai tha se Kosova gjithmonë luan për të fituar, edhe pse më e rëndësishme për të mbetet zhvillimi i ekipit.

“Është ndeshje jetike, por për mua nuk është vetëm të fitojmë një ndeshje, por të krijojmë program dhe programet nuk krijohen lehtë dhe shpejt, duhet të shkosh ngadalë, ditë për ditë, lojë për lojë dhe stërvitje për stërvitje. E kuptoj se të gjithë duam të fitojmë dhe të shkojmë në raundin tjetër, që është shumë e rëndësishme edhe për ne që ta fitojmë këtë lojë. Ne gjithmonë luajmë të fitojmë, por para së gjithash luajmë t’i edukojmë lojtarët që përkrahësit tanë t’i bëjmë krenarë, e që këtë herë nuk ishin krenarë”, tha Marmarinos.

Krahas përzgjedhësit Marmarinos, edhe drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Granit Rugova, pret dhe beson që ndaj Sllovakisë nuk do të mungojë angazhimi e motivimi i lojtarëve. Sipas tij, humbja nga Luksemburgu erdhi shkaku i nënçmimit të kundërshtarit, të cilin në ndeshjen e parë të këtij raundi e kishin mposhtur në udhëtim me katër pikë diferencë – 84:80.

“Mendoj se lojtarët nuk e kanë pritur që Luksemburgu të luajë ashtu siç luajti të enjten mbrëma, që do të thotë se ishte në çdo aspekt më i mirë se ne. Mirëpo, tani kjo humbje i takon së shkuarës dhe duhet të përqendrohemi te ndeshja me Sllovakinë. Na mungon edhe një hap për ta bërë tutje dhe pres që secili të bëjë më shumë sesa duhet për të fituar”, ka thënë Rugova. “Ende e kemi mundësinë e kualifikimit dhe nuk i kemi humbur shpresat. Besoj fuqishëm se loja ndaj Luksemburgut duhet të na motivojë për duelin me Sllovakinë. Unë besoj në ekipin tonë dhe besoj që me një angazhim maksimal dhe me fokus në lojë mund të fitojmë dhe të vazhdojmë tutje”.

Përfaqësuesja e Kosovës deri më tani i ka zhvilluar pesë ndeshje në këtë raund parakualifikues, duke regjistruar dy fitore dhe tri humbje. Në fakt, humbja nga Luksemburgu të enjten mbrëma ishte e treta rresht për “Dardanët” pas disfatave të thella që i pësuan në muajin nëntor në Bratislavë nga Islanda e Sllovakia. Kosova e startoi këtë cikël fuqishëm me dy fitore, ku triumfoi në Prishtinë ndaj Islandës përpara fitores në udhëtim ndaj Luksemburgut.