Sport

“Dardanët” synojnë fitore për të mbetur në garë për kualifikim

Te Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll presin fitore në ndeshjen ndaj Luksemburgut, e cila do të shërbejë si paralajmërim për kundërshtarin e ardhshëm, Sllovakinë, në kuadër të dueleve të fundit të fazës së parë parakualifikuese për Botërorin 2023. Kosova të enjten prej orës 19:00 në Prishtinë përballet me Përfaqësuesen e Luksemburgut, ndërsa dy ditë më vonë do të luajë edhe kundër Sllovakisë në kuadër të Grupit B.

Me fitore në këto dy ndeshje Kosova do të vazhdojë garat në fazën tjetër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Kosova është e treta në grup me gjashtë pikë të mbledhura, sa i ka edhe Sllovakia në pozitën e dytë. E para është Islanda me shtatë pikë, dy më shumë se Luksemburgu që renditet e fundit. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Prishtinë dhe pa praninë e tifozëve për shkak të masave anti-Covid.

“Dardanët” kanë filluar përgatitjet prej të hënës së shkuar, kurse përzgjedhësi Christos Marmarinos beson se ekipi është i gatshëm për këto dy duele të rëndësishme. Për dallim prej nëntorit të vitit të shkuar, kur Kosova pësoi dy humbje në po aq ndeshje të luajtura, këtë herë ekipi është i kompletuar dhe në të është përfshirë edhe amerikani i natyralizuar Divine Myles.

“Pres të japim gjithçka nga vetja për ta përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Besoj se jemi të gatshëm me gjithë disa telashe të vogla dhe do të luftojmë për fitore që është shumë e rëndësishme”, ka thënë Marmarinos të mërkurën për KOHËN. “Synimi është t’i fitojmë dy ndeshjet dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë moment. Është mirë që ndeshjet po luhen në Prishtinë, por më vjen keq që nuk do t’i kemi tifozët tanë në tribuna për të na përkrahur drejt këtij synimi”.

Optimist sikurse përzgjedhësi Marmarinos është edhe kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha. Berisha i mungoi Kosovën në ndeshjet e nëntorit për shkak të infektimit me koronavirus dhe tani insiston se është i gatshëm t’i udhëheqë “Dardanët” drejt fitoreve më të rëndësishme. Kosova deri më tani ka zhvilluar katër ndeshje në kuadër të fazës së parë parakualifikuese dhe ka shënuar dy fitore e dy humbje. Në ndeshjen e parë Kosova e pati mposhtur Luksemburgun me rezultatin 84:80.

“Është një takim shumë i vështirë dhe tepër i rëndësishëm për ne. Ne jemi përgatitur mirë gjatë kësaj periudhe dhe besojmë në fitore. Megjithatë, mungesa më e madhe për ne janë tifozët tanë dhe mungesa e tyre do të ndihet përfundimisht. Mirëpo ne do të japim maksimumin që të marrim rezultat pozitiv nga kjo ndeshje, që do të na motivojë për ndeshjen tjetër që gjithashtu duam ta fitojmë”.

Prej të hënës në Prishtinë kanë zbarkuar edhe përfaqësueset e tjera të këtij grupi që do të luajnë në Prishtinë ndeshjet e fundit të kësaj faze. Te Luksemburgu për ndeshjen me Kosovën dhe Islandën, përzgjedhësi Ken Diedrich ka në dispozicion vetëm 11 basketbollistë dhe ka thënë se kjo do të jetë një sfidë e madhe për ekipin e tij. Megjithatë Diedrich ka paralajmëruar se ekipi i tij është i uritur për fitore dhe ndaj Kosovës synon ta regjistrojë triumfin e dytë në këtë fazë të garave.

“Përgatitjet për këto ndeshje kanë qenë goxha sfiduese dhe shkaku i lëndimeve kemi në dispozicion vetëm 11 lojtarë. Nuk do të jetë aspak lehtë, por ne e kemi parasysh situatën në të cilën jemi dhe besoj se do ta dimë si ta trajtojmë. Gjëja kryesore është se ne jemi të uritur dhe të gatshëm për të luajtur. Kosovën e njohim pasi jemi përballur disa herë dhe pres një ndeshje të vështirë”, është shprehur Diedrich. “Problemi kryesor në ekipin tonë është se shumica e lojtarëve nuk kanë pasur ndeshje garuese për tre muaj shkaku i situatës së krijuar me koronavirusin, dhe pa dyshim që kjo është një tjetër sfidë e madhe. Megjithatë, jemi të gatshëm për këto ndeshje”.

Basketbollisti i Luksemburgut, Oliver Vujakoviq, për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Luksembugut, ka thënë se synon t’i hakmerret Kosovës për humbjen e shkaktuar në duelin e parë.

“Kundër Kosovës, ne duam të hakmerremi për humbjen që na e shkaktuan në shtëpi. Pa dyshim, në këtë ndeshje futemi si autsajderë, por fitorja është e mundshme”, tha ai.

Të enjten zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në Prishtinë, në kuadër të Grupit B. Prej orës 16:00 do të përballen Sllovakia me Islandën.