Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova shpreson në fitore ndaj Islandës

Basketbollistët e Kosovës shpresojnë të arrijnë fitore të enjten ndaj Islandës në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023 të basketbollit. Kosova luan me Islandën në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” në Prishtinë me fillim nga ora 19:00.

Ndeshja është në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve. Në këtë grup gjenden edhe Luksemburgu e Sllovakia. Pas Islandës, Kosova të dielën luan si mysafire e Sllovakisë. Kosova gjendet në Grupin B me Islandën, Luksemburgun e Sllovakinë. Pas takimit me Islandën, të dielën Kosova luan si mysafire e Luksemburgut.

Seleksionuesi i Kosovës, Christos Marmarinos është shprehur optimist para ndeshjes të së enjtes.

“Unë jam shumë i kënaqur me mënyrën se si kanë ushtruar djelmoshat. Ata dhanë gjithçka nga vetja dhe kjo është ajo që duam. Duam që të japim maksimumin sa herë që jemi në përgatitje apo kudo që jemi. Të gjithë jemi shumë krenar që përfaqësojmë Kosovën në këto ndeshje dhe uroj që këtë energji ta bartim në lojën nesër dhe shpresoj në një rezultat të mirë, rezultat që do të na jepte forcë për të vazhduar rrugëtimin tonë”, ka thënë Marmarinos.

Edhe kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha shpreson në fitore të enjten. Berisha fundjavën e kaluar me Pejën fitoi Kupën e Kosovës.

“Menjëherë pas përfundimit të Kupës së Kosovës, kemi filluar përgatitjet me përfaqësuesen e Kosovës. Ka qenë një periudhë e shkurtër me trajnerin e ri. Kemi motiv të madh për t’u paraqitur sa më mirë dhe për të triumfuar më në fund ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Shpresojë që palestra të mbushet dhe jam i sigurt që ‘Dardanët’ do të jenë aty për të na dhënë motiv për të fituar një ndeshje që është shumë me rëndësi”, ka thënë Berisha.