Vllaznia e Shkodrës është e fundit në Ligën Unike dhe pa gjasa për të avancuar në plejof. Ndërkohë Peja është e dyta në këtë ligë basketbolli dhe synon titullin. Por renditja në tabelë kishte pak peshë të enjten mbrëma, kur Peja e Vllaznia u takuan në “Karagaçi”.
Si jo rrallë në këtë edicion të Ligës Unike, rezultati në fund ishte befasues. Vllaznia ka fituar me rezultat bindës, 74:63. Peja e ka fituar çerekun e parë e po ashtu të dytin. Pas 20 minuta lojë rezultati ishte 44:33.
Por Peja u ndal në të tretin e po ashtu në të katërtin. Dhe në fund pikët e plota i morën shkodranët. Andre Walker udhëhoqi Vllazninë me 21 pikë. Daniel Lekndreaj u shqua te Peja me 15 pikë e 11 kërcime.
Peja përmes një komunikate ka arsyetuar disfatën e papritur.
“Kapiteni Dardan Berisha u pushua nga trajneri, kurse Washington nuk u përfshi në formacion pasi ka ardhur dje. Të dy do të jenë të gatshëm për superndeshjen e së dielës ndaj Prishtinës”, ka shkruar Peja në faqen zyrtare në “facebook”.
Dardan Berisha ishte në formacion të Pejës, por nuk u aktivizua fare.